Interesim i maturantëve në organizimin e UKZ-së “Dyert e hapura për maturantët”

30 Prill, 2025

Gjatë tri ditëve të aktivitetit “Dyert e hapura për maturantët”, Universiteti Publik “Kadri Zeka” ofroi mundësinë që maturantët e shkollave të mesme të rajonit të Gjilanit, të njoftohen më shumë me programet akademike që kanë fakultetet e tij. Çdo staf i fakulteteve prezantoi  programet studimore për të rinjtë që janë të interesuar të vazhdojnë studimet në Universitetin Publik “Kadri Zeka” , studime të rregullta pa pagesë, për të gjithë studentët e pranuar.

Maturantët patën mundësinë për të parë një eksperiencë reale të jetës universitare, se si zhvillohen orët mësimore, laboratorët e avancuar dhe ambiente të tjera ku realizohet mësimi dhe aktivitetet akademik.

Stafi akademik i fakulteteve të Universitetit Publik “Kadri Zeka” ka prezantuar programet e studimit dhe ka dhënë informacione të detajuara për mundësitë që ofron secili program veç e veç.

Maturantët u njoftuan me programet që ofron Fakulteti i Edukimit. Stafi akademik i këtij fakulteti prezantoi programet e studimit në nivelin bachelor për Parashkollor, si dhe mundësitë për studime master për Mësimdhënie në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe Mësimdhënie dhe Kurrikula. Ata u shpjeguan maturantëve se si këto programe mundësojnë zhvillimin e karrierave si mësues dhe edukatorë.

Stafi i Fakultetit Juridik, prezantoi programin për drejtësi të nivelit bachelor ku u prezantuan  mundësitë që ky fakultet ofron për ata që dëshirojnë të ndjekin karrierë në fushën e ligjit.

Profesorët e Fakultetit Ekonomik, para maturantëve paraqiten programet e studimit Financë dhe Kontabilitet i Aplikuar, që ofron njohuri të thelluara në financë dhe kontabilitet, si dhe programin Marketing dhe Menaxhim i Shitjes, që fokusohet në strategjitë e marketingut dhe menaxhimin e shitjeve. Ata dhanë informacione mbi mundësitë e zhvillimit të karrierës pas diplomimit në këto fusha të rëndësishme.

Ndërsa drejtues të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, prezantuan programin bachelor për Shkencat Kompjuterike dhe mundësitë për studime master në E-qeverisje dhe Sistemet e Kontrollit dhe Inteligjenca Artificiale, ku u  theksua rëndësia e teknologjisë për të ardhmen dhe mundësia që ofron kjo fushë për ata që janë të interesuar të zhvillojnë karrierën në IT.

Fakulteti i Shkencave Aplikative i Universitetit Publik “Kadri Zeka” ofron mundësi për një arsim të avancuar në shkencat e aplikuara.

Stafi i Fakultetit të Shkencave Sociale ofroi informacion mbi programin Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Europiane, program i vetëm i këtij lloji në Kosovë, që përgatit studentët për karrierë në organizata ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe korporata transnacionale, e që është një mundësi për ata që duan të ndjekin karrierë në diplomaci.

Maturantët u njoftuan edhe për mundësitë e praktikës që ka Universiteti, mundësitë për pjesëmarrje në programe shkëmbimi ndërkombëtar, mundësinë e bursës vjetore për studentët më të dalluar të vitit, bursa për vajzat në programet STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë), mundësi mobiliteti në kuadër të marrëveshjeve me mbi 40 universitete partnere ndërkombëtare, partneritete me kompani lokale dhe ndërkombëtare për praktikë dhe punësim të garantuar dhe shumë mundësi të tjera.

Pas prezantimeve të stafit, maturantët patën mundësinë të vizitojnë për më shumë informacion dhe detaje laboratorët dhe ambientet ku zhvillohen këto programe, si dhe të bisedonin drejtpërdrejt me studentët dhe stafin akademik, duke marrë ide të qartë se çfarë përvoja dhe mundësish ofron çdo program studimi.

Ky organizim ishte një mundësi e mirë për maturantët që të shohin ofertën akademike, të marrin informata mbi zgjedhjen e programeve të tyre të ardhshme, për të nisur studimet në Universitetin Publik “Kadri Zeka”.