Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan organizoi ngjarjen vjetore Women in ICT Week, e cila ka për qëllim fuqizimin dhe përfaqësimin e vajzave dhe grave në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (ICT). Ky aktivitet synon të promovojë përfshirjen e grave në këtë industri dhe të inkurajojë të rinjtë që të ndjekin karriera në fushat STEM (Shkenca, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë).
Për herë të parë në Kosovë, ky organizim u moderua përmes Inteligjencës Artificiale, një model AI e cila është trajnuar nga studentja e UKZ-së Erleta Baliqi përmes GPT.
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka përgëzuar Erletë Baliqi, studente e UKZ-së, për organizimin e ngjarjes dhe të gjitha femrat pjesëmarrëse. Ai theksoi se shkencat dhe teknologjia nuk janë vetëm për meshkuj, por gjithashtu edhe për vajzat, duke inkurajuar të rinjtë që të përfshihen më shumë në fushat STEM dhe të ndjekin karriera në teknologji dhe shkenca kompjuterike. Rektori Dërmaku tha se UKZ synon të krijojë një hapësirë ku vajzat dhe gratë ndihen të përfaqësuara dhe të inkurajuara të kontribuojnë në zhvillimin e teknologjisë dhe të japin një ndikim të rëndësishëm në shoqërinë e sotme
Në panelin e parë inspirues “HER PATH IN ICT”, ku ishin pjesë Afërdita Ibrahimi, Dekane e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Lindita Nebiu, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Erleta Baliqi, studente e studimeve master në këtë fakultet, ndanë rrugëtimin e tyre profesional. Ato kanë diskutuar për përvojat e tyre në fushën e teknologjisë, sfidat dhe sukseset e hasura në karrierën e tyre.
Afërdita Ibrahimi theksoi rëndësinë e zhvillimit të teknologjisë dhe inkurajoi vajzat të kyçen më shumë në ICT për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë.
Lindita Nebiu foli për edukimin dhe mundësitë që ofron ICT, duke dhënë këshilla për vajzat të mos dorëzohen dhe të punojnë me vullnet dhe durim.
Erleta Baliqi ndau përvojën e saj si një studente që kaloi nga një fushë tjetër në teknologji dhe theksoi rëndësinë e logjikës programuese, punës nën presion dhe respektimin e afateve.
Panelistët inkurajuan vajzat dhe gratë që të përfshihen më shumë në teknologji dhe të kontribuojnë në zhvillimin e fushës së ICT.
Paneli i dytë ishte i dedikuar për 7 vajza të suksesshme nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, që ndanë eksperiencat dhe arritjet e tyre akademike. Drilona Kurtalani – Ish studente e UKZ, Eljesa Rashiti – Studente e studimeve master, Shkurte Hoti – Studente e masterit në shkenca kompjuterike, Rina Shabani – Studente e diplomuar në UKZ, Olta Rexhepi – Studente e UKZ në studimet bachelor në Shkenca Kompjuterike, Greta Jashari – Studente e masterit në shkenca kompjuterike, Altina Avdyli – Ish studente e UKZ, treguan se si falë studimeve në UKZ kanë arritur të zhvillojnë karrierën e tyre dhe të arrijnë suksesin në fushën e teknologjisë.
Pas panelit, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për projektet që kishin aplikuar në Thirrjen e Hapur për Projekte/Iniciativa në ICT. Pjesëmarrësit paraqitën projekte të ndryshme, përfshirë faqe webi, aplikacione, sisteme, lojëra dhe prototipe inovative.
Leona Selishta ishte fituese e çmimit kryesor dhe do të ndjekë një kurs për Inteligjencën Artificiale nga Google, organizuar nga UKZ.
Elsa Sylejmani u vlerësua për projektin e saj “Women’s Voice”.
Aurora Behluli u vlerësua për projektin “Art me lule të punuar me dorë”.
Nxënësit e shkollës fillore “Rexhep Elmazi” u vlerësuan për projektin inovativ “Prindi Informohet”.
Çmimet speciale u ndanë për Afërdita Ibrahimi, Dekane e Shkencave Kompjuterike, Lindita Nebiu, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Erletë Baliqi, studente e studimeve master, për kontributin e tyre të shquar në organizimin e ngjarjes, kurse Lindita Loku, Prodekanë e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, mori mirënjohje për këtë organizim.
Në fund të organizimit, të gjitha vajzat dhe studentet që morën pjesë në këtë ngjarje morën mirënjohje për kontributin e tyre dhe angazhimin e treguar në promovimin e teknologjisë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan