UKZ pjesëmarrëse e takimit Kick-off të projektit ndërkombëtar CoVE STEM Europe

22 Prill, 2025

Në kuadër të përkushtimit për avancimin e fushave të Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM) dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në arsim dhe kërkim shkencor, është mbajtur takimi Kick-off i projektit të ri ndërkombëtar CoVE STEM Europe. Ky projekt synon ndërtimin e një rrjeti të qëndrueshëm evropian të qendrave të kompetencës në STEM dhe ngritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, arsimit profesional dhe industrisë në vende të ndryshme evropiane.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, si partner i këtij projekti të rëndësishëm, ishte i përfaqësuar në këtë takim nga Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Rektor i Universitetit, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Aplikative, Minire Rexhepi, Udhëheqëse e Zyrës për Komunikim me Publikun, Hidajete Jashari, Zyrtare Certifikuese, Rrezart Rexhepi, Zyrtar Administrator i Bazës së të Dhënave dhe Sistemeve, si dhe partneri i UKZ-së Gëzim Selimi nga Kompania Calabria.

Gjatë këtij takimi fillestar, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me projektin, objektivat dhe përmbajtjen e tij, duke diskutuar pyetjet fillestare që lidhen me konceptin, sfidat dhe pritshmëritë nga secili partner. Një rëndësi e veçantë iu kushtua shqyrtimit të strukturës së projektit dhe ndarjes së përgjegjësive për liderët e pakove të punës, të cilët do të përgatisin aktivitetet për takimin e radhës. Po ashtu, u diskutuan më hollësisht objektivat, aktivitetet dhe strategjitë kryesore të projektit, si dhe vendosjen e kalendarit të detajuar të punës.

CoVE STEM Europe është një projekt që bashkon institucione partnere nga Kosova, Holanda, Turqia, Suedia, Gjermania dhe Italia, të cilat përmes këtij bashkëpunimi synojnë të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe aftësimit profesional në STEM, të shkëmbejnë përvoja dhe praktika të mira, si dhe të zhvillojnë kompetenca të përbashkëta që përputhen me nevojat e tregut të punës evropian.

Në takim u theksua rëndësia e ndërtimit të një ekipi të fortë, bashkëpunues dhe të përkushtuar, duke zhvilluar aktivitete që ndihmojnë në krijimin e një fryme të hapur bashkëpunimi dhe koordinimi efikas gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit.

Për Universitetin Publik “Kadri Zeka”, pjesëmarrja dhe partneriteti në këtë projekt paraqet një mundësi të rëndësishme për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, për të rritur prezencën në projektet evropiane dhe për të kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve të stafit akademik, studentëve dhe institucionit në tërësi. Përmes këtij projekti, UKZ synon të përfitojë qasje në rrjete evropiane të ekspertizës në STEM, të marrë pjesë në shkëmbime ndërkombëtare dhe të avancojë kualitetin e arsimit dhe kërkimit shkencor në Kosovë dhe më gjerë.