Fakulteti i Edukimit i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Fondacioni “BREZI ’81” organizuan një takim me shkrimtarin dhe studiuesin e njohur Prof. Dr. Bajram Kosumi. Ky organizim pati si qëllim diskutimin e librit të tij, Revolucioni 1981, dhe shpalosjen e krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij të shquar.
Fillimisht Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, shprehu urimet për librin dhe bëri një lidhje të ngushtë me ngjarjet historike të vitit 1981, duke e kujtuar si një periudhë të rëndësishme që shënoi një moment kthese për kombin shqiptar.
Dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. Dr. Merxhan Avdyli, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e këtij takimi dhe vlerën e librit të Prof. Dr. Bajram Kosumit. Ai shprehu kënaqësinë që ky organizim u mundësoi studentëve dhe akademikëve mundësinë për të dëgjuar dhe mësuar nga një personalitet i shquar i kombit. Prof. Dr. Avdyli po ashtu theksoi rëndësinë e trajtimit të ngjarjeve historike me saktësi dhe objektivitet, duke nxjerrë në pah vlerat e mendimit dhe analizës shkencore që Kosumi ka kontribuar.
Prof. Dr. Kosumi, gjatë fjalës së tij, paraqiti 14 teza mbi rëndësinë e ngjarjeve të vitit 1981 për historinë e Kosovës. Ai theksoi se ky vit rihapi çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe solli kërkesën për Republikën e Kosovës si një kërkesë popullore. Kosumi gjithashtu e vuri në dukje krijimin e një klase të re politike që kërkonte barazi për shqiptarët dhe ndryshimet thelbësore në lëvizjen patriotike.
Ai theksoi se demonstratat e vitit 1981 shndërruan Kosovën në një qendër të lirisë dhe bashkimit shqiptar dhe që Revolucioni i 1981 luajti një rol të rëndësishëm në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe në ndryshimin e politikës së jashtme të Shqipërisë. Kosumi gjithashtu nënvizoi ndikimin e këtij revolucioni në socializmin global dhe ndikimin e tij në rrugën e Kosovës drejt çlirimit.
Kosumi gjithashtu ka theksuar rëndësinë e këtij libri si një vlerë memoriale, që rikujton ngjarje dhe veprime të rëndësishme historike, të cilat janë të shënuara me fakte dhe të dhëna të sakta. Ky botim ka për qëllim të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të debatit mbi këto ngjarje, duke ofruar një shpjegim të qartë dhe objektiv të historisë politike të Kosovës.
Në fund, Kosumi ka theksuar se “Revolucioni 1981” është një libër që hap diskutime dhe është një shtysë për historianët, politologët, sociologët, diplomatë dhe studiues të tjerë që të vazhdojnë hulumtimet dhe debatin rreth ngjarjeve të vitit 1981 dhe ndikimeve të tyre në zhvillimet e mëtejshme të rajonit dhe botës.
Gjatë këtij takimi mbi librin ”Revolucioni 1981”, u shqyrtua jo vetëm libri i autorit, por edhe kontributi i tij në ngjarjet e vitit 1981, ku ai ishte njëri prej liderëve të demonstratave që shpërthyen atë vit. Pjesëmarrësit në këtë organizim thanë se libri i Prof. Dr. Bajram Kosumit, Revolucioni 1981, është një botim serioz dhe thelbësor për të kuptuar ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë dhe në Jugosllavi.
Ky libër është një analizë e thelluar historike, politike dhe sociologjike e periudhës së atij viti. Ai shpalos ngjarjet e demonstratave të vitit 1981 dhe pasojat e tyre, duke përfshirë ndikimin në formimin e politikës në Kosovë, Jugosllavi, Shqipëri dhe më gjerë, si dhe ndikimin e atyre ngjarjeve në rënien e sovjet-komunizmit.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan