Takim i Këshillit Organizativ të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore UKZ 2025

16 Prill, 2025

Është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Organizativ të Konferencës Ndërkombëtare Shkencore Vjetore që organizohet nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Në këtë takim të cilin e ka udhëhequr Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli  Prorektore për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, kryesisht është diskutuar rreth përgatitjeve intensive për organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme akademike, që këtë vit mban temën: “Teknologjia, Shkenca dhe Arsimi: Rrugët drejt një Shoqërie Inteligjente” e cila do të mbahet më 02-03 qershor 2025.

Gjatë takimit, anëtarët e këshillit diskutuan në detaje për agjendën, organizimin logjistik, përzgjedhjen e folësve kryesorë dhe riorganizimin e seksioneve tematike, duke synuar që konferenca të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe cilësore. U theksua rëndësia e bashkëpunimit me institucione partnere nga vendi, rajoni dhe më gjerë, për të mundësuar prezantimin e studimeve bashkëkohore dhe nxitjen e debatit shkencor mbi sfidat dhe mundësitë që sjell shoqëria e së ardhmes.

Në këtë konferencë pritet të marrin pjesë studiues, akademikë, profesionistë të fushave të ndryshme, duke sjellë punimet dhe idetë e tyre në një platformë të hapur dhe ndërdisiplinore. Këtë vit, konferenca do të ndahet në gjashtë seksione tematike:

* EduDay Conference

* Justice Conference

* Economics Conference

* DiGiDay Conference

* MathDay Conference

* SocialScience Conference

Pjesëmarrësit ftohen të dërgojnë abstraktet e tyre deri më 05 maj 2025, ndërsa është paralajmëruar edhe një agjendë dinamike me prezantime, diskutime paneli dhe sesione pune që do të ofrojnë mundësi për rrjetëzim profesional dhe shkëmbim përvojash.

Anëtarët e Këshillit Organizativ theksuan rëndësinë që kjo konferencë ka për Universitetin në hapësirën akademike ndërkombëtare dhe për krijimin e mundësive për bashkëpunime të reja shkencore.