Këshilli Shtetëror i Cilësisë viziton Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan

10 Mars, 2025

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Porf. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ka pritur në një vizitë zyrtar përfaqësuesit e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), të kryesuar nga Prof. Asoc. Dr. Hasnije Ilazi, Kryetare e KShC-së dhe Naim Gashi, Drejtor i Përgjithshëm i AKA-së.

Në këtë takim, Rektori Dermaku ka shprehur mirënjohjen për vizitën e përfaqësuesve të KShC-së dhe AKA-së, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë dhe organeve të cilësisë dhe akreditimit. Ai ka theksuar angazhimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” për të përmbushur standardet e reja të akreditimit dhe për të avancuar cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.

“Si institucion i arsimit të lartë publik, ne jemi të përkushtuar për të ndjekur praktikat më të mira akademike dhe për të siguruar që programet tona të studimit të jenë të akredituara dhe të ofrojnë një arsim cilësor për studentët tanë. Ngritja e cilësisë është prioriteti ynë kryesor, dhe për këtë qëllim, ne jemi duke punuar ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë Agjencinë e Akreditimit dhe Këshillin Shtetëror të Cilësisë,” ka thënë Rektori Dermaku.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e KShC-së dhe AKA-së e vlerësuan përkushtimin e UKZ-së ndaj cilësisë dhe sigurimit të akreditimit, duke theksuar se institucionet e arsimit të lartë duhet të jenë të hapura për përmirësime të vazhdueshme dhe të ndjekin trendet më të mira akademike dhe shkencore.

Gjatë vizitës, anëtarët e KShC-së mbajtën edhe mbledhjen e tyre të 135-të në hapësirat e Universitetit Publik “Kadri Zeka”. Në këtë mbledhje u diskutuan çështje të ndryshme që lidhen me akreditimin, standardet e reja dhe sfidat e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.