UKZ ka marr pjesë në Kick-off Meeting të projektit EMPHASIS

10 Shkurt, 2025

Nga data 6-8 shkurt 2025, në ambientet e Universitetit të Maqedonisë Perëndimore në Kozani, Greqi, u mbajt takimi hapës (Kick-off Meeting) i projektit EMPHASIS, i cili ka për qëllim modernizimin e universiteteve partnere në fushën e inovacionit dhe transformimit digjital, qëndrueshmërisë, gjithë përfshirjes, bashkëpunimit ndërinstitucional si dhe politikave për mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

Në këtë ngjarje, Universiteti Publik “Kadri Zeka” u përfaqësua nga Prof. Dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, u.d. Arjetë Rexhepi, Udhëheqëse e Zyrës për Hulumtime Shkencore dhe menaxhere e projektit EMPHASIS, si dhe u.d. Egzona Rexhepi, Udhëheqëse e Zyrës së Projekteve në UKZ.

Gjatë takimit, u prezantuan objektivat dhe pritshmëritë e projektit EMPHASIS, duke u fokusuar në përmirësimin e kapaciteteve të universiteteve pjesëmarrëse dhe krijimin e modeleve të reja të zhvillimit akademik dhe teknologjik.

UKZ e ka nisur vitin 2025 me një angazhim të fuqishëm në arenën ndërkombëtare, duke qenë pjesë e katër projekteve të reja Erasmus+ CBHE: DELTA, EduFair, EMPHASIS dhe Aurea. Këto projekte u prezantuan në takim, duke dëshmuar përkushtimin dhe suksesin e universitetit në bashkëpunimet ndërkombëtare dhe zhvillimin e arsimit të lartë.

Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt inovacionit dhe modernizimit të universiteteve, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në nivel ndërkombëtar.