Universiteti Publik “Kadri Zeka”, ka realizuar trajnimin mbi përdorimin dhe implementimin e sistemit anti-plagjiatur. Ky aktivitet u zhvillua me pjesëmarrjen e gjerë të stafit akademik dhe administrativ të universitetit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të etikës akademike dhe rritjes së cilësisë së punimeve shkencore.
Trajnimi kishte për synim që pjesëmarrësit të kenë njohuri të thelluara mbi funksionalitetet dhe mundësitë e sistemit anti-plagjiatur, duke ndihmuar në identifikimin dhe parandalimin e praktikave të pahijshme akademike.
Në fjalën e saj, Prorektorja për Zhvillim Akademik dhe Cilësi Prof. Asoc. Dr. Voglushe Kurteshi theksoi rëndësinë e këtij trajnimi për universitetin dhe komunitetin akademik në përgjithësi. Ajo vuri në dukje se në një epokë ku qasja në informacion është më e lehtë se kurrë, universitetet kanë një përgjegjësi të madhe për të siguruar që puna shkencore dhe akademike të mbetet autentike dhe e bazuar në parimet e ndershmërisë intelektuale.
“Universiteti Publik “Kadri Zeka” është i përkushtuar në promovimin e standardeve më të larta akademike dhe shkencore. Përdorimi i sistemit anti-plagjiatur do të ndihmojë në forcimin e besueshmërisë së punimeve të studentëve dhe stafit akademik, duke siguruar një mjedis akademik të ndershëm dhe të drejtë për të gjithë”, u shpreh prorektorja Kurteshi.
Trajnuesi Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, prezantoi mekanizmat kryesorë të sistemit dhe ofroi shembuj konkretë mbi mënyrat më efikase të përdorimit të sistemit anti-plagjiaturë në verifikimin e autenticitetit të materialeve shkencore dhe akademike. Po ashtu, trajnuesi Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, prezantoi strategjitë më të mira për të shmangur plagjiaturën dhe për të ndërtuar një kulturë akademike të bazuar në kërkim të mirëfilltë dhe të pavarur.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të mësojnë në mënyrë praktike mbi përdorimin e këtij sistemi, duke testuar dhe analizuar dokumente të ndryshme për të kuptuar procesin e verifikimit dhe përqindjen e ngjashmërisë me burime të tjera.
Pjesëmarrësit e trajnimit vlerësuan përpjekjet e universitetit për të ngritur nivelin e ndërgjegjësimit rreth plagjiaturës dhe ndikimit të saj në cilësinë e arsimit të lartë. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të zbatuar sistemin anti-plagjiatur në procesin e tyre akademik dhe për të ndihmuar studentët të zhvillojnë aftësi të shkrimit të ndershëm dhe kritik. Në përfundim të trajnimit, u diskutuan edhe hapat e ardhshëm për zbatimin e plotë të sistemit anti-plagjiaturë.
Ky trajnim ishte i rëndësishëm në përpjekjet e universitetit për të forcuar ndershmërinë akademike dhe për të përmirësuar cilësinë e edukimit dhe kërkimeve shkencore në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan