Blendi Kurti dhe Donat Dalipi janë dy të diplomuarit e parë të programit master “Sistemet e Kontrollit dhe Inteligjenca Artificiale” të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Blendi dhe Donati prezantuan para komisionit punime inovative që pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në fushat e teknologjisë dhe shkencës. Komisioni që ishte i përbërë nga ekspertë të shquar të fushës, të cilët ofruan udhëzime dhe mbështetje të çmuar gjatë procesit, Prof. Asoc. Dr. Basri Ahmedi – Kryetar, Prof. Ass. Dr. Aferdita Ibrahimi – Anëtare, Porf. Asoc. Dr. Ekremi Halimi – Anëtar dhe në mentorimin e punimeve të tyre nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, i cili drejtoi me përkushtim dhe profesionalizëm këto hulumtime të rëndësishme.
Studenti Blendi Kurti zhvilloi një projekt të avancuar me titull “Sistemi i Automatizuar i Evidencës për Institucionet Arsimore”, që synon të përmirësojë dhe thjeshtojë proceset administrative në institucionet arsimore. Ky sistem përdor teknologjinë RFID për regjistrimin automatik të vijueshmërisë së studentëve dhe sinkronizohet në kohë reale me një bazë të dhënash në cloud.
Në thelb, sistemi përfshin pajisje si lexuesit RFID, kartat RFID, mikrokontrolluesin Raspberry Pi dhe një ekran për informacionet mbi rezultatet. Kjo teknologji premton menaxhim më efikas dhe të digjitalizuar të të dhënave, duke sjellë përfitime të dukshme për institucionet arsimore.
Sudenti Donat Dalipi prezantoi hulumtimin e tij të avancuar, “Njohja e Modelit të Spektrit Jon-Akustik duke Aplikuar Deep Learning”, ku përdori të dhëna nga radari jokoherent 42 metra i Shoqatës Shkencore EISCAT në Norvegji. Ky studim përfshinte zhvillimin e një aplikacioni inteligjent për njohjen automatike të morfologjisë spektrale të spektrit jon-akustik, bazuar në algoritmet e të mësuarit të makinerisë.
Puna e tij ndihmon në klasifikimin më të shpejtë dhe efikas të të dhënave të radarëve, duke i ofruar shkencëtarëve një mjet të ri për të studiuar dukuritë në jonosferën e Tokës. Të dhënat janë të bazuara në arkivat e Laboratorit Rutherford-Appleton në Mbretërinë e Bashkuar.
Diplomimi i këtyre studentëve jo vetëm që shënon një moment historik për Universitetin Publik “Kadri Zeka”, por gjithashtu shërben si një frymëzim për gjeneratat e ardhshme të profesionistëve të teknologjisë dhe shkencës në Kosovë. Punimet e Blendit dhe Donatit reflektojnë potencialin e madh që studentët tanë kanë për të kontribuar në zgjidhjen e sfidave globale përmes teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës artificiale.
Rektori i Universiteti Publik “Kadri Zeka” Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, shprehu krenarinë dhe mbështetjen e tij të plotë për studentët e diplomuar, duke theksuar përkushtimin për zhvillimin e mëtejshëm të programeve inovative dhe kërkimit shkencor në vend.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan