Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, përkatësisht Fakulteti Juridik, në bashkëpunim me Programin për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K) dhe të financuar nga UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, organizoi një ceremoni të veçantë për ndarjen e certifikatave për 26 studentë që morën pjesë në Klinikën Ligjore për Mbrojtjen Ndërkombëtare – Azili, Refugjatët dhe Pashtetësia.
Në fjalën hapëse të ceremonisë, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, përshëndeti të pranishmit dhe shprehu mirënjohjen për përkrahjen e dhënë nga të gjithë aktorët e përfshirë. Ai vlerësoi Klinikën Ligjore si një mundësi të shkëlqyer për studentët për të zhvilluar aftësitë praktike.
Nga ana tjetër, Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, falënderoi ekipet trajnues dhe mbështetës për përkushtimin e treguar në realizimin e suksesshëm të programit. Ai theksoi se përvoja e fituar nga studentët gjatë Klinikës Ligjore do t’i pajisë ata me aftësi të rëndësishme profesionale, duke kontribuar në zhvillimin e tyre personal dhe përgatitjen për tregun e punës që është e domosdoshme për një karrierë të suksesshme në fushën e drejtësisë.
Shefi i Misionit të UNHCR në Kosovë, Arjun Shrestha, ndau mendimet e tij mbi qëllimin e Klinikës Ligjore, e cila synon të ofrojë njohuri të thelluara mbi Ligjin Ndërkombëtar të Refugjatëve dhe konceptet kyçe si parimi i mos-kthimit dhe procedurat për përcaktimin e statusit të refugjatit dhe pashtetësisë. Ai theksoi rëndësinë e këtij projekti për përgatitjen e studentëve në përballjen me sfidat ligjore që lidhen me kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare.
Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, falënderoi ekipin e trajnuesve dhe partnerët për mbështetjen e dhënë në zhvillimin profesional të studentëve të Universitetit. Ajo nënvizoi rolin e Klinikës Ligjore në përforcimin e vlerave demokratike dhe avancimin e sistemit të drejtësisë në shoqëri.
Manuchehr Rakhmonov nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Zhvillimit (UNDCO) dhe Memli Ymeri, Drejtor i Programit për të Drejtat Civile – Kosovë (CRP/K), theksuan rëndësinë e përvojës pesë-javore që studentët patën gjatë Klinikës. Ata sqaruan se programi përfshiu ligjërata mbi mbrojtjen ndërkombëtare, simulime të rasteve të azilkërkuesve dhe një vizitë në Qendrën e Azilit në Magurë. Sipas tyre, këto aktivitete ishin thelbësore për zhvillimin e aftësive praktike të studentëve dhe për përforcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë dhe më gjerë.
Në emër të studentëve pjesëmarrës folën Diellze Surdulli dhe Lirak Haziri, të cilët ndanë eksperiencat e tyre personale dhe theksuan se Klinika Ligjore ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme për të mësuar nga ekspertët dhe për të aplikuar njohuritë e tyre në raste reale.
Studentja Eriona Shkodra ndau përshtypjet e saj mbi vizitën që grupi i studentëve zhvilloi në Qendrën e Azilit në Kosovë. Ajo përmendi se takimet dhe diskutimet me profesionistët e fushës i ndihmuan studentët të kuptojnë më mirë proceset komplekse që lidhen me mbrojtjen ndërkombëtare dhe të drejtat e refugjatëve.
Në përfundim të ceremonisë, përfaqësuesit e Universitetit dhe UNHCR ndanë certifikata për të gjithë studentët që morën pjesë në program. Të gjithë të pranishmit vlerësuan suksesin e Klinikës Ligjore si një hap të rëndësishëm për zhvillimin profesional të studentëve dhe avancimin e edukimit praktik në fushën e drejtësisë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan