Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka bërë një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare, ku Delegacioni i UKZ-së i përbërë nga Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, udhëheqës i delegacionit, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, anëtare e Këshillit Drejtues, Betim Berisha, U.D. udhëheqës i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime së bashku me disa studentë të UKZ-së, janë pjesë e javës studimore “Mobility Exchange for Staff and Students” të organizuar nga Universiteti PH Zug në Zvicër.
Gjatë qëndrimit zyrtar në Zvicër delegacioni i UKZ-së, ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të institucioneve zvicerane, ndër to është takimi me përfaqësuesit e Universitetit të Lucernit (HSLU – Lucerne University of Applied Sciences and Arts), një prej universiteteve më prestigjioze të Zvicrës.
Gjatë takimit me HSLU u diskutua krijimi i një partneriteti strategjik ndërmjet dy universiteteve. Përfaqësuesit e të dyja palëve diskutuan për iniciativa konkrete bashkëpunimi, duke përfshirë, zhvillimin e programeve të përbashkëta të diplomimit (Double Degree), të cilat do të mundësojnë përfitime të dyfishta për studentët e UKZ-së dhe HSLU-së., shkëmbimet ndërkombëtare për stafin akademik dhe administrativ, si dhe për studentët, duke ofruar mundësi për eksperienca ndërkombëtare, projekte të përbashkëta në kuadër të programeve Erasmus+ dhe fondeve të tjera zvicerane, që do të kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve hulumtuese dhe inovative, si dhe angazhimin e komunitetit të biznesit, duke ndërlidhur sektorin privat me universitetet për të forcuar inovacionin dhe punësimin e të diplomuarve.
Si rezultat i këtij takimi, u dakordua që së shpejti të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet UKZ-së dhe HSLU-së.
Një ndër projektet e para të këtij bashkëpunimi do të realizohet në maj të vitit 2025, kur UKZ do të mirëpresë një grup prej 34 studentësh të nivelit Master dhe 4 profesorë nga Universiteti i Lucernit. Ky grup do të qëndrojë për një javë në Gjilan, ku përveç aktiviteteve akademike, do të përfshihen në projekte të përbashkëta me bizneset lokale nga Komuna e Gjilanit dhe më gjerë.
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, vlerësoi këtë bashkëpunim si një hap të madh drejt rritjes së cilësisë së arsimit në UKZ dhe fuqizimit të kapaciteteve ndërkombëtare të universitetit. Ai deklaroi se partneriteti me Universitetin e Lucernit do të krijojë mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik, duke i ndihmuar ata të jenë konkurrues në tregun global.
Kjo iniciativë synon jo vetëm shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, por edhe krijimin e lidhjeve më të forta ndërmjet institucioneve arsimore dhe sektorit privat. Fakulteti Ekonomik i UKZ-së do të luajë një rol kyç në këtë proces, duke kontribuar në avancimin e arsimit të aplikuar dhe projekteve praktike.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan