Në kuadër të festimeve për 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe përvjetorin e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me prorektorët dhe stafin e universitetit, dje ka marrë pjesë në një sërë aktivitetesh përkujtimore dhe festive.
Aktivitetet kanë nisur me pjesëmarrjen e Rektorit Dërmaku në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku u mbajt një ceremoni e veçantë për nder të kësaj dite historike. Në fjalimet e rastit, u theksua rëndësia e 28 Nëntorit si simbol i unitetit kombëtar, përpjekjeve për liri dhe sakrificave të popullit shqiptar përgjatë historisë.
Pas seancës, Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku me bashkëpunëtorë kanë vazhduar me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Gjilan, ku janë vendosur buqeta me lule për të nderuar jetën dhe veprën e atyre që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e kombit.
Në vijim, homazhe janë bërë edhe tek shtatoret e figurave qendrore të rezistencës kombëtare shqiptare, Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Zeka.
Rektori Dërmaku theksoi se aktivitetet e tilla përkujtimore janë thelbësore për të ruajtur ndërgjegjen historike dhe për të frymëzuar brezat e rinj që të vazhdojnë të çmojnë lirinë dhe vlerat kombëtare. Ai shtoi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” do të vijojë të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin arsimor, por edhe në ruajtjen dhe promovimin e traditave e identitetit kombëtar.
Dita e 28 Nëntorit mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare, duke përmbledhur në vetvete shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ngritjen e flamurit nga Ismail Qemali dhe lindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, simbol i qëndresës heroike të shqiptarëve.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan