UKZ ka hapur Qendrën për Karrierë dhe Alumni

27 Nëntor, 2024

Universiteti Publik “Kadri Zeka”  sot ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të mundësive për studentët dhe të diplomuarit, përmes hapjes zyrtare të Qendrës për Karrierë dhe Alumni.

Në hapjen e ceremonisë, të pranishmit u mirëpritën me intonimin e Himnit Kombëtar dhe Himnit të Kosovës.

Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e kësaj qendre në zhvillimin e kapaciteteve të studentëve dhe krijimin e urave të bashkëpunimit midis universitetit dhe industrisë. Ai falënderoi të gjithë kontribuuesit për realizimin e kësaj nisme të rëndësishme.

Pas tij, Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi rolin e universitetit në avancimin e rinisë dhe zhvillimin socio-ekonomik të rajonit.

Gjatë ceremonisë, Arlinda Selmani, u.d. Udhëheqëse e Divizionit për Karrierë dhe Alumni, bëri një prezantim të shërbimeve që do të ofrojë qendra për studentët dhe të diplomuarit, duke përfshirë këshillimin profesional, ndërmjetësimin për punësim dhe lidhjen me komunitetin e alumnisë.

Arsim Vranovci, Kryetar i Bordit Këshillëdhënës Industrial, u ndal tek mundësitë që bizneset ofrojnë përmes bashkëpunimit me Qendrën e Karrierës dhe Alumni, duke vënë theksin te rëndësia e krijimit të një platforme për zhvillimin profesional të studentëve.

Ndërsa, Kryetari i Parlamentit Studentor, Erblin Kastrati, foli për përfitimet e studentëve nga ky bashkëpunim me bizneset, duke nënvizuar se kjo qendër do të shërbejë si një urë për përgatitjen e tyre për tregun e punës.

Më pas fëmijët nga Shkolla e Vallëzimit Modern”Dancing House”, janë paraqitur me një vallzim  kreativ dhe plotë energji.

Ceremonia u përmbyll me prerjen simbolike të shiritit të Qendrës për Karrierë dhe Alumni, nga Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Arlinda Selmani, u.d. Udhëheqëse e Divizionit për Karrierë dhe Alumni.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” vazhdon të mbetet i përkushtuar në krijimin e mundësive dhe përmirësimin e përvojës akademike dhe profesionale të studentëve të tij.