Menaxhmenti i UKZ- së kanë marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare organizuar nga kolegji AAB

15 Nëntor, 2024

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Prorektorin për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa, dhe Prorektoren për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli, kanë marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Kolegji AAB si bashkë organizator i Konferencës Ndërkombëtare “Mirëqenia në kohë sfiduese” (“Wellbeing in Challenging Times”).

Konferenca, organizuar në partneritet me universitetet shqiptare dhe Shoqatën Sociologjike Shqiptare, ka mbledhur akademikë, studiues dhe profesionistë nga fusha të ndryshme. Qëllimi kryesor i saj është adresimi i çështjeve të mirëqenies në të gjitha dimensionet e saj, duke përfshirë: Mirëqenia materiale dhe fizike, shëndetësore dhe emocionale, intelektuale, arsimore dhe kulturore, profesionale dhe sociale, shpirtërore, mjedisore dhe financiare.

Ky organizim ndërdisiplinor reflekton rëndësinë e mirëqenies në kohët e sfiduara, duke u fokusuar në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe inovative për përmirësimin e cilësisë së jetës në nivel individual dhe kolektiv.

Prorektorja për Hulumtime dhe Kërkime Shkencore, Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli, tha se pjesëmarrja e UKZ-së në këtë konferencë është dëshmi e angazhimit të institucionit për të kontribuar në hulumtime dhe diskutime që adresojnë çështjet aktuale sociale dhe ekonomike.