UKZ përfituese e projektit STEM EUROPE nga grupi i projekteve evropiane ERASMUS Lump Sum Grants

11 Nëntor, 2024

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka arritur një sukses të rëndësishëm me përfitimin e projektit STEM EUROPE, pjesë e projekteve të ERASMUS Lump Sum Grants, që synon të transformojë arsimin profesional në fusha shkencore dhe teknike. Ky projekt u realizua falë përkushtimit të ekipit të mësimdhënësve të UKZ-së, nën drejtimin e Prof. Dr. Xhevdet Thaqit, Prof. Asoc. Dr. Bashkim Dalipi dhe Prof. Asoc. Dr. Ekrem Halimi, të cilët bashkëpunuan ngushtë me studentët e programit Master Sistemet e Kontrollit dhe Intelegjenca Aritificiale për ta sjellë këtë mundësi të re në institucion.

Ky projekt ka për qëllim zhvillimin e arsimit të integruar në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), duke kontribuar drejtpërdrejt në arritjen e standardeve të larta të arsimit profesional dhe të qëndrueshmërisë. STEM EUROPE harmonizohet me qëllimet e Deklaratës së Osnabrück-ut, duke promovuar konkurrencë të qëndrueshme dhe drejtësi sociale përmes përgatitjes së një fuqie punëtore të aftë për sfidat e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Evropë.

Një nga komponentët kyç të projektit STEM EUROPE është themelimi i gjashtë Qendrave Rajonale të Ekselencës Profesionale (COVEs) në vende të ndryshme evropiane, përfshirë Kosovën, Holandën, Gjermaninë, Suedinë, Turqinë dhe Italinë. Këto qendra, të mbështetura nga platforma gjithëpërfshirëse STEM COVE EUROPE, do të ofrojnë mundësi bashkëpunimi, përfshirjeje dhe avancimi të aftësive profesionale për studentët dhe profesionistët nga fusha të ndryshme.

BE përballet me sfida të vazhdueshme, përfshirë mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe mospërputhjen e aftësive në treg. STEM EUROPE synon të adresojë këto sfida duke krijuar mundësi të reja për profesionistët e rinj në sektorin e arsimit dhe formimit profesional (EQF 3-5), pa dallim gjinie, statusi socio-ekonomik apo prejardhjeje. Përmes këtij projekti, UKZ dhe partnerët e tij po kontribuojnë në zhvillimin e një fuqie punëtore më të diversifikuar dhe të përgatitur për një treg dinamik dhe sfidues në fushën STEM.

Projekti STEM EUROPE shënon një hap të rëndësishëm për UKZ-në, duke e pozicionuar si një institucion lider në fushën e arsimit profesional në Kosovë dhe përtej saj.