UKZ dhe Shkolla “Hello” diskutojnë bashkëpunimin dhe mundësinë e praktikës për studentët

11 Tetor, 2024

Në kuadër të përpjekjeve për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimeve ndërinstitucionale, Universiteti Publik “Kadri Zeka” dhe Shkolla “Hello Academy of Education” zhvilluan një takim të rëndësishëm me fokus krijimin e mundësive për studentët e UKZ-së.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në UKZ, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, së bashku me u.d. udhëheqësen e Divizionit për Projekte dhe Mobilitet, Egzona Rexhepi, pritën në takim drejtuesit e Shkollës “Hello”, Znj. Hysnije Ismaili dhe Z. Florian Kurteshi. Ky takim kishte për qëllim diskutimin për krijimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi që do të përfitonin studentët e Fakultetit të Edukimit të UKZ-së, me fokus në drejtimet fillor dhe parashkollor.

Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e mundësive për studentët që të kryejnë praktikat profesionale në Shkollën “Hello”, duke iu ofruar një platformë të përshtatshme për të përvetësuar aftësitë e nevojshme profesionale. Përveç kësaj, palët u dakorduan që Shkolla “Hello” të ofrojë bursa për studentët e UKZ-së, si dhe mundësi punësimi për ata që diplomohen. Ky bashkëpunim synon të lidhë njohuritë akademike me praktikën reale në shkolla, duke përgatitur studentët për tregun e punës.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i takimit ishte bashkëpunimi në projekte të përbashkëta ndërkombëtare si Erasmus+, Giz, dhe në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT). Ky angazhim do të krijojë mundësi për projekte inovative që synojnë zhvillimin profesional të studentëve dhe promovimin e shkëmbimeve ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare.

Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes UKZ-së dhe institucioneve të tjera arsimore, duke hapur rrugë për më shumë mundësi dhe përfitime për studentët dhe stafin e të dyja institucioneve.