UKZ dhe Universiteti Jana Długosza w Częstochowie nënshkruajnë dy Marrëveshje Bashkëpunimi

25 Shtator, 2024

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi me Universitetin Jana Długosza w Częstochowie të Polonisë. Marrëveshjet u nënshkruan nga Prof. Dr hab. Janusz Kapuśniak rektor i Universitetit Jana Długosza w Częstochowie si dhe Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku i cili së bashku me Prorektorin për Bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, po qëndrojnë në vizitë zyrtare në Poloni.

Njëra nga marrëveshjet përfshin bashkëpunimin e përgjithshëm mes dy universiteteve, ndërsa tjetra mbulon programin e mobilitetit Erasmus+ KA171.

Gjatë qëndrimit në  Universitetin Jana Długosza w Częstochowie, u diskutua për mundësitë e shumta për bashkëpunim akademik dhe shkencor, me theks të veçantë në krijimin e programeve të përbashkëta të doktoratës dhe diplomave të dyfishta. Gjithashtu, u ra dakord për mundësinë që stafi i UKZ-së të ligjërojë deri në 60 orë në Universitetin Jana Długosza. Të dyja palët diskutuan për organizimin e shkollave verore, konferencave të përbashkëta, dhe për projekte të tjera akademike, si dhe për mobilitetin e stafit dhe studentëve.

Një delegacion nga Universiteti polak pritet së shpejti të vizitojë UKZ-në, për të detajuar më tej hapat e bashkëpunimit.

Marrëveshje mes Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe  Universitetit Jana Długosza w Częstochowie, paraqet një hap të rëndësishëm për zhvillimin akademik të UKZ-së dhe ofron mundësi të reja për stafin dhe studentët.