UKZ pjesëmarrëse e Konferencës së Rektorëve të Evropës Juglindore

11 Shtator, 2024

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Prorektoren për Çështje Akademike dhe Studentëve, Prof. Asoc. Dr. Shpresë Qamili, Prorektorin për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa  si dhe Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte, po marrin pjesë në Konferencën e Rektorëve të Evropës Juglindore. UKZ-ja është anëtare me të drejta të plota në këtë forum të rëndësishëm për zhvillimin e arsimit të lartë në rajon.

Konferenca, e cila mbahet sot dhe nesër, do të trajtojë një sërë temash të rëndësishme për arsimin e lartë, përfshirë bashkëpunimin mes universiteteve, krijimin e aleancave të reja dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta. Këto iniciativa synojnë të krijojnë një mjedis që promovon vlera fundamentale akademike dhe zhvillimin e universiteteve të rajonit.

Prandaj, ne si UKZ jemi të përkushtuar që të përfitojmë nga të gjitha këto iniciativa, duke synuar jo vetëm zhvillimin e kapaciteteve tona akademike dhe infrastrukturore, por edhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin tonë akademik. Këto projekte janë thelbësore për të rritur bashkëpunimin ndëruniversitar, për të zgjeruar mundësitë kërkimore dhe për të forcuar rolin e universitetit tonë si një qendër udhëheqëse e arsimit të lartë në Kosovë dhe rajon.