Në kuadër të projektit TAKE, Caritasi Zviceran ka bërë një donacion të rëndësishëm për Fakultetin e Edukimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, duke pajisur klasën parafillore me pajisje të ndryshme edukative të cilat lehtësojnë të nxënit e studentëve dhe e bëjnë atë më afatgjatë. Ky bashkëpunim synon të përmirësojë kushtet dhe cilësinë e edukimit për fëmijët e vegjël, duke u ofruar studentëve të programit parafillor një mjedis më të mirë për zhvillimin e tyre profesional dhe përgatitjen për karrierën e tyre si edukatorë.
Projekti TAKE është një iniciativë e mbështetur nga Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit dhe implementohet nga Caritasi Zviceran në Kosovë. Qëllimi kryesor i këtij projekti është të përmirësojë cilësinë e edukimit të fëmijëve në moshë të hershme dhe të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve arsimore në vend. Pajisjet dhe materialet didaktike të dhuruara përfshijnë lojëra edukative, mjete mësimore interaktive dhe mobilje të rehatshme, të cilat janë të dizajnuara për të mbështetur metodën e mësimit përmes lojës.
Prof. Asoc. Dr. Nevrije Ismajli, koordinatore e projektit TAKE nga UKZ, tha se :”Studentët e programit parafillor në Fakultetin e Edukimit tani kanë mundësi të mësojnë dhe të praktikojnë metodat moderne të edukimit në një mjedis që simulojnë kushtet reale të klasës. Kjo u mundëson atyre të zhvillojnë aftësitë e tyre pedagogjike dhe të përgatiten më mirë për sfidat e profesionit të edukatorit, duke pasur qasje në mjete dhe lojëra që nxisin krijimtarinë, mendimin kritik dhe bashkëpunimin”.
Ky bashkëpunim është një shembull i shkëlqyer i përpjekjeve të përbashkëta për të përmirësuar kushtet e edukimit në Kosovë. Duke sjellë së bashku ekspertizën dhe burimet e Caritasit Zviceran dhe mbështetjen financiare të Qeverisë së Principatës së Lihtenshtajnit, projekti TAKE synon të realizojë qëllimet e përbashkëta për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së edukimit në fëmijërinë e hershme.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan