UKZ pjesë e Forumit të 8-të të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor

3 Qershor, 2024

Në Universitetin e Sarajevës, më 30 dhe 31 maj 2024, u zhvillua Konferenca e 8-të e Forumit të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor. Nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” morën pjesë Dekani, prof. dr. Xhevdet Thaqi, dhe prodekani, prof. asoc. dr. Ekrem Alimi nga Fakulteti i Shkencave Aplikative.

Tema kryesore e kësaj konference ishte “E ardhmja e universiteteve dhe Forumit të Rektorëve të EJL dhe BP” – “Future of Universities and the Rectors’ Forum of SEE and WB”.

Pas fjalës hyrëse të Rektorit të Universitetit të Sarajevës, Rifat Shkrel, u paraqitën kumtesat nga Thomas Jorgensen, Anna-Letematika dhe Claeys-Kulik nga EUA. Më pas, qëndrimet e tyre lidhur me zhvillimin e arsimit të lartë dhe Forumit të Rektorëve të EJL dhe BP u elaboruan edhe nga panelistët: Biljana Angelova (Universiteti i Shkupit), Enita Nakaš (Universiteti i Sarajevës), Igor Nedelkovski (Universiteti i Manastirit) dhe Gregor Majdič (Universiteti i Ljubljanës).

Pas raportimit të punës së Forumit të Rektorëve për periudhën e kaluar nga Rektorja e Universitetit të Rijekës, Snježana Prijić Samaržija, u kërkua miratimi i kërkesave të universiteteve tjera për pranim në këtë Forum. Në mesin e tyre u prezantua edhe kërkesa e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Ferizajit, e cila u procedua për pranim në mbledhjen e radhës së Forumit të Rektorëve të EJL dhe BP.

Në vazhdim të konferencës, u zhvilluan aktivitete në formë të grupeve punuese:

  • Grupi i punës lidhur me temën “Avancimi i programeve të arsimit të lartë në Evropën Juglindore”, udhëhequr nga Marta Zuvic (Universiteti i Rijekës), u fokusua në zhvillimin e programeve studimore që ndërlidhin punën kërkimore të universiteteve dhe nevojat e tregut të punës, duke ndikuar në zhvillimin ekonomik të shoqërisë.
  • Grupi i punës lidhur me temën “Avancimi i kërkimit shkencor dhe inovacionit në Evropën Juglindore”, udhëhequr nga Bostjan Markoli (Universiteti i Ljubljanës), u fokusua në diskutimet lidhur me mbështetjen e hulumtimit dhe inovacionit shkencor dhe infrastrukturës mbështetëse në arsimin e lartë.

Gjatë ditës së dytë të këtij takimi, u zhvilluan punimet të fokusuara në temën e financimit të punës shkencore në nivelin evropian, kombëtar dhe institucional. Rezultatet e këtyre diskutimeve shpalosën fakte të rëndësishme për shembujt pozitivë dhe vështirësitë në financimin dhe mbështetjen e kërkimeve shkencore në nivele të ndryshme, përfshirë institucionet e arsimit të lartë – universitetet.

Konferenca e radhës e Forumit të Rektorëve të EJL dhe BP do të mbahet në Universitetin e Manastirit më 11-12 shtator 2024.