Maturantët nga Novobërda u njoftuan me programet studimore të FSHK-së dhe FE në UKZ

16 Maj, 2024

Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, respektivisht Prof. Ass. Dr. Lindita Nebiu, dekanë  e Fakultetit të Shkencave Kompjuterik dhe Dekani i Fakultetit Ekonomik Prof. Asoc. Dr. Xhevat Sopi, së bashku me stafin e tyre, kanë  prezantuar ofertën akademike për vitin akademik 2024/2025, para maturantëve të shkollës së mesme ekonomike  në Komunën e Novobërdës, të cilët ishin nën udhëheqjes e studentes alumni të UKZ-së, tashmë Këshilltare e Karrierës për të gjitha shkollat shqipe në komunën e Novobërdës znj. Xhejlane Behluli.

Gjatë qëndrimit në UKZ, maturantët  për së afërmi janë informuar për përmbajtjen e programeve studimore në FSHK dhe në FE, kushtet për regjistrim dhe studim në universitetin tonë, mundësitë që ofrohen për studentët e UKZ-së përmes programeve, si dhe për marrëveshjet e bashkëpunimit në kuadër të të cilave u jepet rëndësi punës praktike, bursave dhe shkëmbimeve studentore.

Nga takimi me maturantët u shpreh interesim i lartë, veçanërisht për programet deficitare në vend, të cilat ofrohen nga Universiteti “Kadri Zeka” në  Gjilan.

Ndryshe në kuadër të fushatës informuese për të studiuar në UKZ, do të realizohen një sërë aktivitetesh. Në këtë kontekst, janë përgatitur edhe fletushka me programet që ofron UKZ, doracak për studentë, etj.