Rektori i UKZ-së hapi javën Erasmus+ Staff week në Universitetin “Angel Kanchev” Ruse në Bullgari

13 Maj, 2024

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku sot hapi javën Erasmus+ Staff week në Universitetin “Angel Kanchev” Ruse të Bullgarisë.

Në këtë ngjarje që do zhvillohet gjatë gjithë javës, nga stafit akademik i  UKZ-së po marrin pjesë edhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, Prof. Ass. Dr. Selim Daku, Profesoresha Shejnaze Gagica, e po ashtu të përfshirë janë edhe stafi administrativ, Mensur Ajeti, Naser Abazi, Petrit Cana dhe Betim Berisha, ku do të zhvillohen shumë aktivitete të veçantë të përkushtuar për bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar duke ndarë eksperiencën dhe njohuritë e tyre.

Në kuadër të ERASMUS+ staff week, pjesëmarrësit e UKZ-së do të kenë rastin që të marrin pjesën në shumë aktivitete të planifikuara, por mbi të gjitha është gjetja e partnereve të rinj për Universitetin Publik “Kadri Zeka”, si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të lidhjeve të reja dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta.

Në këtë drejtim, intervista e Rektorit të UKZ-së për Televizionin Nacional Bullgar vë në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kontributin që projekte të tilla si Erasmus+, po japin në rritjen e nivelit të ndërkombëtarizmit dhe suksesit të institucionit të arsimit të lartë në Kosovë.

Kjo vizitë po realizohet në kuadër të projektit për mobilitet me Universitetin”Angel Kanchev” Ruse nga Bullgaria, Erasmus+ ICM KA-107.

Ndërkohë, partneriteti me Universitetin e Ruses po forcohet edhe më shumë, duke hapur rrugën për projekte të reja dhe bashkëpunim të thelluar në të ardhmen.