Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është mbajtur mbledhje komemorative për profesorin Shefik Haliti, i cili u nda nga kjo jetë një ditë më parë.
Me këtë rast në emër të Rektorit të UKZ-së Porf. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, një fjalë rasti e ka mbajtur prorektori Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa. Ai pasi u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve, shokëve të profesorit tashmë të ndjerë Shefik Haliti dhe të gjithë pjesëmarrësve të tjerë, ka thënë se jemi mbledhur sot për të kujtuar dhe çmuar punën e palodhshme të profesorit, pishtarit të dijes i cili punoi pa u lodhur me një përkushtim e profesionalizëm të veçantë në arsimin kosovar. Prorektori Mustafa ka thënë se për kohën sa profesori Shefik Haliti shërbeu në Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe si profesor universitar në Fakultetin e Edukimit, u dallua për përkushtimin dhe pasionin e tij në ligjërimin e lëndëve pedagogjike. Kontributi i profesorit Haliti do të mbetet një trashëgimi e çmuar për brezat e ardhshëm, duke frymëzuar gjenerata të reja të pedagogëve dhe shkencëtarëve, ka thënë mes tjerash prorektori Naim Mustafa.
Në mbledhje komemorative është lexuar telegram ngushëllimi të cilin e kishte dërguar nënkryetari i LDK-së njëherësh kryetar degës së LDK-së në Gjilan z. Lutfi Haziri, derisa kanë folur edhe profesorë, bashkëveprimtar e studentë të profesorit Shefik Haliti, si: Prof. dr. Bahtijar Kryeziu, Prof. dr. Faik Shkodra, Prof. dr. Nuhi Rexhepi dhe Bujar Nevzadi, dikur studentë i profesorit Haliti, të cilët kanë shprehur respektin dhe admirimin më të thellë për kontributin e shquar të profesorit Shefik Haliti në fushën e arsimit dhe pedagogjisë. Ata kanë thënë se në këtë moment të kujtimit dhe reflektimit, familjarë dhe të gjithë të tjerët duhet të përpiqemi të nderojmë jetën dhe punën e tij të shquar, duke e mbajtur atë si një shembull për përkushtimin ndaj arsimit dhe pasionin për dijen.
Në emër të familjes së profesori të ndjerë, një fjalë e mbajti vajza e tij, Merita Haliti. Ajo falënderoi Universitetin për organizimin e mbledhjes komemorative dhe të gjithë ata që patën fjalën për profesorin Haliti, duke thënë se ndihet krenare që kishte prind profesorin Shefik Haliti.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan