Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, Parlamenti i Studenteve në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ka organizuar një ekspozite me punime të artit pamor kryesisht me motive kombëtare.
Ekspozitën e shpalli të hapur, Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi. Ai tha se 28 Nëntori, është një moment ku mund të tregojmë se si po e kryejmë borxhin ndaj këtyre figurave që studentët i kanë paraqitur përmes punimeve të tyre, e të cilët e kanë dhënë jetën për lirinë e vendit tonë. Rektori Kosumi tha se flamuri nuk është vetëm imazh, por është simbol i unitetit për ne. Ndërkohë që ka vlerësuar edhe punimet e ekspozuara, për të cilat ka thënë se këto punime nuk karakterizohen vetëm për nga forma, shprehja, përkatësisht gjuha, por sipas tij, në to sipërfaqe ka nuanca të qenies sonë kombëtare nga motet e shkuara përplot qëndresë, por edhe shprese drejt një të ardhme të përbashkët dinjitoze të kombit tonë.
Një historik të shkurtër për festën e 28 Nëntorit, e dha profesori, Isuf Ahmeti.
Njëherësh rektori i UKZ-së ka marrë pjesë edhe në hapje të turnirit në futboll të vogël , organizuar nga Këshillat e Studentëve të Fakulteteve të Universitetit “Kadri Zeka”. Rektori siguroi studentët se Universiteti do të jetë përherë aktiv dhe do ti mbështet organizimet e tilla.
Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit të Studentëve, Mehmet Zylfiu, tha se ky turnir tashmë është bërë tradicional dhe kështu mëtohet të vazhdohet edhe në të ardhmen. Ai falënderoi rektorin e Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, për mbështetjen të vazhdueshme.
Në turnir kanë marrë pjesë 22 ekipe, dhe e gjithë loja ka kaluar mjaftë mirë dhe në një atmosferë festive, ashtu siç dinë ta bëjnë vetëm studentët.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan