Prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Universitetin PH Zug të Zvicrës. Gjatë kësaj vizite, prorektori Dukagjin Leka ka takuar rektoren Esther Kamm, prorektorin Clemens Diesbergen me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin mes të dy universiteteve dhe të ardhmen e këtij bashkëpunimi.
Ata janë dakorduar që për të thelluar bashkëpunimin, duhet të nënshkruhet një aneks marrëveshje mes rektorëve, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe Esther Kamm, ku do të mundë të organizohet shkollë verore e përbashkët mes UKZ-së – PH Zug dhe partnerëve të tjerë.
Po ashtu gjatë vizitës në fjalë, prorektori Leka ka biseduar për mundësinë e rritjes së mobilitetit të profesorëve të UKZ-së në PH Zug dhe anasjelltas, që të fillohet të involvohen në marrëveshjen e bashkëpunimit edhe shkollat e Gjilanit dhe Zug-ut, për t’ju mundësuar mobilitet mësuesve e në ndërkohë edhe nxënësve nga të dy vendet.
Gjatë kësaj vizite prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte ka takur udhëheqësin e zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar në PH Zug, Patrik Pfeuffer me të cilin ka diskutuar aspektet tjera rreth projekteve që do të aplikohen në Zvicër, për t’i mbështetur aktivitetet e sipërpërmendura, si dhe vazhdimin e mobilitetit të studentëve të UKZ në Zvicër dhe anasjelltas. Kurse gjatë takimit me profesoreshën e PH Zug Shpresa Jashari, është biseduar për koordinimin e vizitën studimore të studentëve të UKZ në PH Zug që do të realizohet në dhjetor të këtij viti.
Derisa gjatë takimit që prorektori Leka ka pasur me studentët e PH Zug të cilët në muajin tetor ishin në vizitë studimore në UKZ, është ndarë shumë i kënaqur nga përshtypjet e tyre për organizimin e vizitës studimore, për familjet e studentëve mikpritës dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan