AGJENCIA E STATISTIKAVE TË KOSOVËS MBAJTI SESION INFORMUES PËR STUDENTËT E UKZ-së

8 Nëntor, 2023

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është mbajtur sesion informues nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në lidhje me Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, në kuadër të përgatitjeve të fushatës për sensibilizimin e opinionit publik rreth rëndësisë dhe përfitimeve nga ky proces i rëndësishëm me karakter kombëtar për vendin.

Fillimisht të pranishmit i ka përshëndetur Prof. Dr. Sadik Haxhiu, prorektor për mësimdhënie dhe çështjeve të studentëve, i cili njëherësh ka falënderuar ASK për organizimin e sesionit, duke thënë se kjo do jetë një mundësi e mirë për studentët si në anën financiare po ashtu edhe për fillimin e praktikës profesionale për ta.

Ndërsa përfaqësuesit e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Hazbije Qeriqi dhe Burim Gashi, para studentëve të UKZ-së, kanë treguar rëndësinë që përbën procesi i regjistrimit të popullsisë, se si do realizohet grumbullimi, përpunimi dhe publikimi i këtyre të dhënave. Ata kanë thënë se edhe studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, mund të aplikojnë të jenë pjesë e këtij procesi si mbikëqyrës ose regjistrues.

Nga studentët pati interesim, kryesisht në pjesën se si do zhvillohet regjistrimi i popullsisë, kohëzgjatjen, cilët parametra përfshin dhe karakteristika tjera me rëndësi.