Pas funksionalizimit të Klinikës Ligjore në kuadër të Projektit Erasmus+ ENEMLOS, në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka qëndruar në një vizitë një delegacion nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Zagrebit, të cilët janë pritur nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, Prof. Ass. Dr. Selim Daku, njëherësh edhe menagjer i Projektit ENEMLOS në UKZ, asistenti Berat Dërmaku dhe studentët Tringa Kurteshi, Arian Leka, Albin Rukovci dhe Lirak Haziri, të cilët edhe janë pjesë e klinikës ligjore brenda UKZ-së.
Delegacioni i Universitetit të Zagrebit në përbërje të Prof. Dr. Alan Uzelac, Assoc. Prof. Dr. Slađana Aras Kramar, Prof. Ass. Dr. Marko Bratkovic, Dr. Juraj Brozovic, studentët Sara Petričević, Paola Hakač, Klara Radić dhe Nikolina Filipović, kanë vizituar hapësirën ku është funksionalizuar klinika ligjore, sallat mësimore, bibliotekën e Universitetit.
Kjo vizitë është kryesisht një lloj konfirmimi protokolar dhe miqësor i marrëdhënieve të vendosura në mes të dy institucioneve dhe një mundësi për të parë se si punohet në UKZ dhe se si është punuar në ngritjen dhe funksionalizimin e klinikave ligjore, duke parë nga afër përvojat që marrin studentët në këtë Klinikë, nga raste reale nga jeta e përditshme.
Nga kjo vizitë përveç të tjerash u diskutua edhe për mundësinë e lidhjes së një marrëveshje ndërinstitucionale në mes të dy Universiteteve, e cila mund të realizohet në mobilitetin e radhës në kuadër të projektit ENEMLOS.
Angazhimet në Projekte Ndërkombëtare sidomos ato Erasmus+ po japin rezultate konkrete, dhe po lehtësojnë qasjen e stafit dhe studentëve, si dhe bashkëpunimin me Universitete të ndryshme me renome nga i gjithë kontinenti.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan