Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi i shoqëruar nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka, Profesori Selim Daku si dhe sekretari i njësisë akademie Kushtrim Demi, po marrin pjesë në punëtorinë e radhës së projektit “Zhvillimi i cilësisë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe menaxhim të projekteve/QUADIC” pjesë e Erasmus +, që po mbahet në Universitetin Evropian të Tiranës në Tiranë, nga 4 deri më 8 dhjetor 2022.
Punëtoria ka për qëllim zhvillimin e strategjisë së Institucioneve të Arsimit të Lartë për fushën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, menaxhimin e projekteve të UE-së, shpërndarjen e informacioneve dhe strategjisë për komunikimi me publikun, duke përfshirë sfidat që ballafaqohen zbatuesit e projekteve si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar përmes dixhitalizimit.
Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është të siguroj përmirësimin e Arsimit të Lartë në Kosovë dhe Shqipëri, duke ndërtuar kapacitete institucionale për marrëdhëniet ndërkombëtare, përmes të cilit krijohen zyra përkatëse plotësisht funksionale (përfshirë kapacitetin për menaxhimin e ciklit të projektit) nga 18 IAL nga Kosova, Shqipëria dhe shtetet e Unionit Evropian, ku Universiteti Publik “Kadri Zeka” është koordinator i projektit QUADIC.
Kjo do të bëhet duke përmirësuar aftësinë për zhvillimin dhe menaxhimin e projektit përmes ekspertizës ndërkombëtare të disponueshme nga IAL-të evropiane që bashkëpunojnë në këtë projekt dhe shkëmbimi i praktikave të mira midis anëtarëve të konsorciumit. Kjo do të bëjë që institucionet vendore të arsimit të lartë të përfshihen me vetëbesim në nisma të ndryshme bashkëpunimi akademik dhe kërkimor në rajon, në Evropë dhe më gjerë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan