Në kuadër të projektit “Drejt një sistemi të orientuar të cilësisë së edukimit fillestar të mësuesve për të rritur profesionalizmin e tyre në Kosovë”, i njohur shkurtimisht në gjuhën angleze si “QATEK”, njohësit e edukimit nga universiteti italian “LUMSA”, zhvilluan punëtorinë tërëditore në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, me modulin “Dimensioni shoqëror i edukimit”, brenda programit “Ngritja e Kapaciteteve për Mësimdhënësit”.
Në ketë punëtori nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, kanë marr pjesë PhD Cand. Avni Rudaku – menaxher i projektit dhe PhD Cand. Refik Ramadani – asistent i angazhuar. Kurse në prezantimin e modulit në punëtorinë njëditore, morën pjesë profesionistët e edukimit special, edukimit parafillor dhe fillor, nga LUMSA e Italisë, si: Gabriella Agrusti – mësimdhënëse e kërkimit dhe vlerësimit arsimor, Valeria Damiani – mësimdhënëse e metodave të kërkimit në arsim dhe njëkohësisht anëtare e Komitetit të Përbashkët të Menaxhimit për Studimin IEA ICCS 2022, Maurizio Gentile – profesor i studimeve për nevoja të veçanta dhe pedagogji dhe drejtor i kursit pasuniversitar në arsimin special, Tiziana Testani – mbikëqyrëse e praktikës dhe ligjëruese e pedagogjisë për arsimin fillor.
Çdo prezantim përfshiu një ose më shumë aktivitete me pjesëmarrësit dhe një seancë diskutimi. Pas dhënies së pasqyrës së modulit, u diskutua për arsimin gjithëpërfshirës: politika dhe praktika në të gjithë Evropën, duke vazhduar me temën e arsimit gjithëpërfshirës në shkollën fillore: një model i një klase gjithëpërfshirëse. Më pas, u vazhdua punëtoria me diskutimet mbi bërjen e mësuesve reflektues dhe konstruktimi i drejtimit të identitetit të mësuesit gjatë praktikës dhe për të përfunduar për rëndësinë e lidhjes së teorisë dhe praktikës, si dhe vetëreflektimi nga mësimdhënësit.
Profesoreshat dhe profesori italian theksuan rëndësinë e kombinimit të duhur të teorisë dhe praktikës në punën e mësimdhënies dhe mësimnxënies, nevojën e inkluzionit për nxënësit me nevoja të veçanta, shembujt krahasues të mësimdhënies që zbaton teoritë e konstruktivizmit, teoritë e kognitivizmit e bihejviorizmit, teorinë e të nxënit social-kognitiv dhe një sërë praktikash të përshtatshme pedagogjike, përmes zbatimit të mësimdhënies me në qendër nxënësin, përmes modelit “të nxënit duke bërë”.
Në projektin QATEK që udhëhiqet nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” – Fakulteti i Edukimit, marrin pjesë këto universitete partnere nga këto vende: Sllovenia, Estonia, Italia dhe Kosova (Universiteti i Gjilanit, i Gjakovës dhe i Mitrovicës). Projekti QATEK do të vazhdojë së implementuari në zhvillimin e kapaciteteve për mësimdhënësit dhe praktikat për sigurimin e brendshëm të cilësisë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan