Në kuadër të projektit “Drejt një sistemi të orientuar të cilësisë së edukimit fillestar të mësuesve për të rritur profesionalizmin e tyre në Kosovë”, i njohur shkurtimisht në gjuhën angleze “QATEK”, profesoreshat nga universiteti italian “LUMSA”, në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Edukimit, u zhvillua trajnim dy ditor me temën “Arsimi i orientuar në kompetenca” (Rezultatet e të nxënit, mësimdhënia dhe vlerësimi) brenda programit “Ngritja e Kapaciteteve për Mësimdhënësit”. Në këtë trajnim nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”, morën pjesë stafi akademik në përbërje me: Rina Rasimin, Liridona Mehmetin, Refik Ramadanin, Fatjonë Bislimin dhe Avni Rudakun.
Gabriella Agrusti – mësimdhënëse e Kërkimit dhe Vlerësimit Arsimor si dhe drejtuese e masterit për mësues të arsimit fillor, si dhe Valeria Damiani – mësimdhënëse e Metodave të Kërkimit në Arsim nga LUMSA e Romës, paraqitën modulin mbi konceptin e kompetencës, kompetencat kyçe sipas BE-së për të mësuarit gjatë gjithë jetës. Kjo është në Kornizën e Referencës së Kompetencave për Kulturën Demokratike të zhvilluar nga Këshilli i Evropës, hartimin e kurrikulës dhe qasjet pedagogjike, strategjitë aktive për të nxënit në klasë, qasjen e shkollës për edukimin qytetar, mjediset demokratike për të nxënit, qasjen ndërdisiplinore ndaj edukimit qytetar, mësimdhënien dhe vlerësimin në kuadër të orientimit drejt kompetencave, vlerësimin formativ dhe sumativ dhe reagimin efektiv vlerësues për nxënësit.
Mësimdhënëset nga Italia theksuan se, kompetencat nuk do të duhej të ishin të izoluara, por të kemi një qasje holistike për to. Përkitazi me kompetencat e të mësuarit terë jetësor, u përmendën ato të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës si: kompetenca multigjuhësore, personale, sociale dhe e të mësuarit për të mësuarit, e qytetarisë, e ndërmarrësisë, vetëdijesimit kulturor dhe e të shprehurit, digjitale, matematikore dhe në shkencë, teknologji e inxhinieri, si dhe kompetenca e shkrim-leximit.
Gjatë zhvillimit interaktiv të trajnimit, pjesëmarrësit diskutuan për çështje të rëndësishme të zhvillimit të kompetencave e të vlerësimit të kombinuar formativ dhe sumativ te nxënësit dhe studentët, në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe u përmendën sfidat në arsim, qoftë në Itali, Kosovë, apo kudo në botën e sotme të zhvillimit të teknologjisë.
Në projektin QATEK që udhëhiqet nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” – Fakulteti i Edukimit, marrin pjesë këto universitete partnere nga këto vende: Sllovenia, Estonia, Italia dhe Kosova (Universiteti i Gjilanit, i Gjakovës dhe i Mitrovicës). Projekti QATEK do të vazhdojë së implementuari në zhvillimin e kapaciteteve për mësimdhënësit dhe praktikat për sigurimin e brendshëm të cilësisë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan