Në kuadër të Projektit QATEK të programit ERASMUS+, partner i të cilit është edhe Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, nga data 14 deri më 17 dhjetor 2021, Prorektori për Mësim Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve prof. asoc.dr Xhevdet Thaqi së bashku me Dekanin e Fakultetit të Edukimit prof. asoc. dr. Merxhan Avdyli dhe profesorin Ahmet Ibrahimi, kanë qëndruar në një vizitë studimore në Universitetin LUMSA të Italisë.
Në kuadër të kësaj vizite, janë zhvilluar aktivitete me rëndësi për Praktikat e Sigurimit të Cilësisë në Përgatitjen e mësimdhënësve të ardhshëm në kuadër të Fakultetit të Edukimit.
Pjesëmarrësit e kësaj vizite studimore, janë pritur në takim nga Rektori i Universitetit LUMSA prof. Francesco Bonini, dhe Drejtoresha e DSU profesor Gabriella Agrusti.
Profesorët e UKZ, kanë prezantuar punën dhe rezultatet e arritura në fushën e sigurimit të cilësisë në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, me theks në procesin e përgatitjes së mësimdhënësve në kuadër të Fakultetit të Edukimit, si dhe implementimin e aktiviteteve të projektit “QATEK” në UKZ.
Në kuadër të kësaj vizite, është zhvilluar edhe dy punëtori.
Ne punëtorinë e parë: “Building the idea of quality in Teacher Education in Italy” (Ndërtimi i idesë së cilësisë në edukimin e mësimdhënësve në Itali), udhëhequr nga prof. Gabriela Agrusti dhe prof. Valeria Damiani, u shkëmbyen ide dhe përvoja nga UKZ, Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti LUMSA, për një sistem të qëndrueshëm të përgatitjes cilësore të mësimdhënësve në Fakultetin e Edukimit.
Në punëtorinë e dytë: “How the quality of study programme is evaluated? From the perspective of the management” (Si bëhet vlerësimi i cilësisë së programeve studimore? Nga perspektiva e menaxhmentit) e cila u zhvillua nën udhëheqjen e prof. Fabio Macioce, drejtor i Departamentit për cilësi GEPLI, u elaborua në hollësi sistemi i vlerësimit të programeve studimore, duke identifikuar sfidat me rastin e akreditimit të një programi studimor, deri te implementimi me sukses i objektivave të përcaktuara më parë, si dhe formalizmi nga institucionet në nivel të universitetit dhe në nivel të shtetit për funksionimin e programit studimor cilësor.
Prorektori për Mësim Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve prof. asoc. dr Xhevdet Thaqi, ka thënë se kjo ishte një vizitë shumë me rëndësi për cilësinë e qëndrueshme në programet e Fakultetit të Edukimit, e cila u shoqërua me aktivitete të rëndësishme në kuadër të sesioneve, diskutimeve, prezantimeve dhe vizitave të ambienteve të Universitetit LUMSA në Romë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan