Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ka organizuar tryezën me temën, “Praktika gjyqësore në rastet që përfshijnë viktima të ndjeshme”.
Nga Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan kanë marrë pjesë, Prof. Asoc. Dr. Sadik Haxhiu, Dekan i Fakultetit Juridik, Prof. Ass. Dr. Fatmire Krasniqi prodekane, Prof. Ass. Dr. Albulena Hajdari profesoreshë, Ma. Sc. Kosovare Sopi asistente, e po ashtu pjesë e kësaj tryeze kanë qenë edhe rreth 20 studente nga Fakulteti Juridik i UKZ-së.
Prof. Asoc. Dr. Sadik Haxhiu, Dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ka folur rreth sfidave e ndjekjes penale – grumbullimi i dëshmive në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, kjo tryezë ka trajtuar çështjet dhe shqetësimet me të cilat përballen institucionet gjyqësore kur merren me rastet që përfshijnë viktima të ndjeshme. Në këtë organizim është parë bashkëpunimi i institucioneve të drejtësisë me institucionet dhe mekanizmat e tjerë të përfshirë në trajtimin e këtyre rasteve, si dhe situatat me nivelin e shërbimeve që këto institucione mund t’u ofrojnë viktimave të ndjeshme kur përfshihen në procedurën penale.
Njëherësh janë trajtuar edhe detyrimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve gjatë ndjekjes penale dhe gjykimit të rasteve me viktima të ndjeshme, kundrejt ligjeve dhe standardeve vendase të parapara.
Pjesëmarrës tjerë në këtë tryezë kanë qenë, Aneta Silyavska, Zyrtare e Lartë Ligjore, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Valbonë Dërvodeli, Gjyqtare – Udhëheqëse e Forumit të Gjyqtareve dhe Prokuroreve për Rajonin e Gjilanit, Bahtie Ademi, Prokurore, Zëvendës–Udhëheqëse e Forumit të Gjyqtareve dhe Prokuroreve për Rajonin e Gjilanit, etj.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan