Menaxhmenti i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i kryesuar nga Rektori, Prof. Dr. Bajram Kosumi, ka pritur sot në takim kryesuesen e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Hasnije Ilazi me bashkëpunëtorë dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, z. Naim Gashi.
Rektori Kosumk.i njoftoi të pranishmit për zhvillimet në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, lidhur me akreditimin e programeve studimore dhe strategjitë e UKZ-së në sigurimin dhe ngritjen e cilësisë. Ai shprehu gatishmërinë që të bashkëpunojë ngushtë me AKA-në dhe KShC-në në drejtim të sigurimit të cilësisë dhe plotësimin e standardeve të nevojshme. Po ashtu, Rektori Kosumi shprehu falënderim për përkushtimin dhe kontributin e stafit të AKA-së dhe KShC-së në procesin e ri/akreditimit.
Në anën tjetër, kryetarja e KShC-së, Prof. Ass. Dr. Hasnije Ilazi theksoi që KShC-ja është duke punuar në ri-definimin e standardeve ekzistuese të cilësisë për institucionet e arsimit të lartë, ndërkaq vuri në pah rëndësinë që ka bashkëpunimi ndërmjet tyre dhe UKZ- së për ngritjen e standardeve të arsimit të lartë në vend. Ajo tha se aktualisht janë duke ndodhur shumë zhvillime pozitive në AKA, siç është draftimi i Ligjit për AKA-në, Plani Strategjik trevjeçar, krijimi i metodologjisë së re të monitorimit të IAL-ve, zhvillimi i standardeve të reja të akreditimit, ri/akreditimit dhe validimit të programeve akademike, etj. Ndërsa, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, z. Naim Gashi, theksoi përkushtimin e menaxhmentit të UKZ-së, i cili ka qenë shembull i bashkëpunimit dhe përgëzoi për arritjet në ri/akreditimin Institucional dhe të 9 programeve studimore.
Gjatë takimit, ndër të tjerash, u diskutua për projekte të cilat i ndihmojnë rrugëtimin e Universitetit “Kadri Zeka” në aspektin e sigurimit të cilësisë, si dhe për zhvillimin e standardeve të reja.
Gjatë vizitës në Universitet drejtuesit e KShC-së dhe AKA-së janë takuar edhe me përfaqësuesit e studentëve, të cilët kanë dhënë idetë e tyre për zhvillimin e sistemit të arsimit të lartë.
Ndërkohë kanë vizituar ambientet e UKZ-së për të parë nga afër salla, kabinetet dhe amfiteatrin nëpër të cilat zhvillohet procesi mësimor.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan