Me qëllim të ngritjes së cilësisë në studimet universitare, Universiteti Publik “Kadri Zeka” po implementon me sukses Projektin “Kosovo Developing a Comprehensive System of Evaluation for Academic Staff” koordinuar nga Organizata OPTIMA dhe përkrahur nga Ambasada e SHBA-së. Sot drejtori ekzekutiv i OJQ “Optima”, Qëndrim Lluka dhe ekspertja e arsimit të lartë, dr. Sharon Jaynes Hart, kanë qëndruar në UKZ ku është takuar me grupin punues i cili është themeluar për të koordinuar zhvillimin e sistemit të vlerësimit të stafit akademik në UKZ.
Drejtori ekzekutiv i OJQ “Optima”, Qëndrim Lluka dhe ekspertja e arsimit të lartë, dr. Sharon Jaynes Hart, folën për proceset e punës për implementimin e projektit. Sipas tyre, të gjitha universitetet publike në Kosovë do të punojnë së bashku për të krijuar një model praktik të një sistemi gjithëpërfshirës të performancës së mësuesve akademik, i cili do t’i plotësojë nevojat specifike, shqetësimet dhe karakteristikat e stafit mësimor dhe administratës të secilit universitet.
Po ashtu u potencua se modeli do të përfshijë standardet dhe udhëzimet e duhura për cilësinë akademike dhe mësimdhënien siç përcaktohet nga Shoqata Evropiane për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Agjencia e Akreditimit të Kosovës (AKA). “Qëllimi i programit është të zhvillojë një sistem gjithëpërfshirës të performancës së stafit akademik për të shtatë universitetet publike në Kosovë”, tha drejtori Lluka.
Kryesuesi i këtij Komisioni në Universitetin “Kadri Zeka”, Xhevdet Thaqi, njëherësh prorektor për mësim, kërkime shkencore dhe çështje të studentëve, tha se ky UKZ është duke e realizuar vlerësimin dhe matjen e përformancës së stafit akademik.
Ai falënderoi drejtuesit e OJQ “Optima” për mbështetjen dhe vlerësuan projektin si shumë të rëndësishëm. Palët u dakorduan që të zhvillojnë edhe takime tjera në mënyrë që ecuria e projektit të jetë sa më e mirë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan