Rektori uron për Statutin e UKZ-së

11 Dhjetor, 2020

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi uron stafin akademik të UKZ-së, të gjithë studentët dhe alumnin, stafin administrativ dhe të gjithë hisedarët e arsimit të lartë publik në Gjilan e më gjerë për miratimin e Statutit të UKZ-së.

Dje, pas një angazhimi më shumë se dy vjeçar të universiteteve të reja publike të Kosovës, më 10.12.2020, Kuvendi i Kosovës miratoi Statutin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe statutet e tre universiteteve të tjera publike.

Ky është një lajm i mirë për arsimin e lartë publik në Kosovë. Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dëshmuan vendosmërinë për nevojën shoqërore për zhvillimin e universiteteve publike.

Me këtë Statut UKZ fiton pavarësinë administrative, mbi të cilën ai mund të zhvillohet më shumë, më shpejt dhe me një ritëm të natyrshëm. Na duhet vetëm edhe një hap tjetër, pavarësia financiare nga MASH, për të qenë universiteti plotësisht i pavarur, sipas Ligjit për Arsimin e Lartë.

E theksojmë edhe një herë: autonomia e universitetit është kusht themelor për zhvillimin akademik.

Dëshiroj të falënderoj Kuvendin e Kosovës, Komisionin për Arsim të Kuvendit, veçanërisht të gjitha grupet parlamentare që përkrahën Statutin dhe deputetë që votuan.

Falënderoj ministrin e MASH, ministren e MEF dhe kryeministrin për përkrahjen e statuteve të universiteteve publike.

Urime!