Në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë aplikuar rreth 1 mijë maturantë deri në ditën kur edhe është mbyllur konkursi plotësues për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore – bachelor në vitin akademik 2015/2016 në afatin e shtatorit.
Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”, në vitin e parë të studimeve, në afatin e dytë të konkursit për vitin akademik 2015-2016, do të regjistrojë 657 studentë, prej të cilëve 488 studentë të rregullt dhe 169 studentë me korrespondencë. Nga numri i përgjithshëm, Universiteti do të regjistrojë 226 studentë të rregullt dhe 35 studentë me korrespondencë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe 24 studentë të rregullt nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe të tjerë.
Vaxhid Sadriu, Sekretar i Përgjithshëm i Universitetit ”Kadri Zeka” në Gjilan tha se procesi i aplikimit ka shkuar mire dhe gjithëcka ka shkuar mbarë. “Procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshëm, është administruar në mënyrë efikase. Nuk kemi pasur ndonjë problem ose parregullsie në procesin e pranimit të aplikimeve të regjistrimit të të dhënave në sistemin elektronik – online”, tha Sadriu.
Ndërkohë, në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan nesër më 19. 09.2015 do të mbahen provimet pranuese, ora e mbajtjes së provimit pranues dhe salla janë publikuar në ëeb faqen e universitetit uni-gjilan.net .
Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet më 21.09.2015. Kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, me date 22.09. 2015. Ankesat do të shqyrtohen me datë 23 shtator 2015. Publikimi final i rezultateve pas ankesave bëhet më datë 25 shtator 2015.
Sekretari I Përgjithshëm i Universitetit të Gjilanit, Vaxhid Sadriu, ka thënë se janë bërë planifikimet me të gjitha njësitë akademike, ku regjistrimi i studentëve do të bëhet nga 28 shtator deri më 03 tetor 2015, në mënyrë që procesi mësimor të fillojë mbarë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan