Në të gjitha fakultete e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajtën provimet pranuese për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2020/2021 në studimet baçelor dhe master.
Për të parë nga afër këtë proces, Bajram Kosumi Rektor në Universitetin “Kadri Zeka”, së bashku me Prorektorët dhe Sekretarin e Përgjithshëm, kanë vizituar disa nga sallat ku janë mbajtur provimet pranuese. Rektori Bajram Kosumi, të gjithë kandidatëve u uroi suksese në provimin pranues.
Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan në studimet baçelor respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor dhe Parashkollor, Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet, programin Menaxhim dhe ndërmarrësi, Fakultetin e Shkencave Aplikative programi Matematikë Arsimore dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike do të regjistrojë 780 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi si dhe komunitetet jo-shumicë.
Derisa për studimet pasdiplomike – MASTER, për vitin akademik 2020/2021, Universiteti “Kadri Zeka” do të regjistroj 100 studentë të rregullt, për programet E-Qeverisja, program ky i përbashkët mes Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Fakultetit Juridik dhe Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka” dhe programin Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike, program i përbashkët me Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Shpallja e rezultateve preliminare të provimit pranues do të bëhet, më së voni, deri të martën datë 6 tetor 2020 në fakultetet përkatëse si dhe në ueb-faqen e universitetit.
Kandidatët të cilët nuk janë pranuar mund t’i paraqesin ankesë fakultetit përkatës më së largu 48 orë pas publikimit të rezultateve preliminare. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan