UKZ DHE ITSHKSH NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI

28 Shkurt, 2020

Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi bashkë me Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Ass. Dr. Dukagjin Leka kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në Shkup, respektivisht në Institutin e  Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve atje.

Gjatë kësaj vizite Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi dhe Skender Asani, Drejtori i Institutit të  Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve që ata drejtojnë.

Kjo marrëveshje hap mundësinë për veprimtari të përbashkëta mes Universitetit “Kadri Zeka” dhe Institutit të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, me seli në Shkup, për botime të përbashkëta, promovime librash, pjesëmarrje në veprimtari të përbashkëta shkencore e të ngjashme, si në: forume, tribuna, tryeza, simpoziume, sesione shkencore për çështje të ndryshme të kulturës, artit, shkencës, organizime të konferencave të përbashkëta, etj..