Pas formimit të Klubit të Debatit në Universitetin “Kadri Zeka” dhe skuadrave të para të studentëve për debat, të enjten, më 26 dhjetor 2019, ora 14:00, në sallën A/34 (Salla e konferencave), Fakulteti i Edukimit, fton studentët, profesorët dhe debatdashësit, që të marrin pjesë në debatet e para garuese ndërmjet 6 (gjashtë) skuadrave, nga studentët e të gjitha fakulteteve të UKZ-së.
Agjenda, temat dhe skuadrat e garave debutuese janë:
Debati 1:
Deklarata: “Shkollat nuk na duhen më, kur e kemi sot gugllën (Google apo shkolla?!). Skuadra 1 afirmative, pohuese, PËR deklaratën, përbëhet nga studentët: Jasemin Aliti, Elitë Bardhi, Valonis Ramadani. Skuadra 2 mohuese, KUNDËR deklaratës, nga: Herolind Ymeri, Alma Zeneli, Liona Bllaca. Skuadra afirmative e mbron gugllën, Jutjuben, google clasroom-in, studimet onllajn, studimet në distancë, e-learning, e platforma të tjera onllajn, ndërsa skuadra kundërshtuese, e mbron shkollën, vendtakimin social e fizik; qëndrimin se shkolla ende na duhet dhe është e domosdoshme, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë informative.
Debati 2:
Deklarata: “Nuk duhet të shpenzojmë aq shumë para për të shkuar në planetin Mars, kur një pjesë e madhe e popullsisë botërore vuan ende nga uria.” Skuadra 1 PËR deklaratën nga: Drinor Qerimi, Leonora Maliqi, Genc Salihu. Skuadra 2, KUNDËR deklaratës: Verona Huruglica, Arbër Ramadani, Ardonis Halimi. Skuadra afirmative e mbron deklaratën, duke mbledhur statistika të varfërisë në botë dhe shumë argumente të tjera, ndërsa skuadra kundër deklaratës, flet për rëndësinë e eksplorimit të kozmosit, udhëtimit ndërplanetar dhe mbijetesën e njerëzimit, duke u përkujdesur edhe për pasardhësit dhe gjeneratat e ardhshme, e sidomos me fokus sakrificat, vetëflijimet e kultet heronjve të njerëzimit.
Debati 3:
Deklarata: “Nuk duhet profesorët dhe studentët të jenë miq/mikesha në Facebook, gjersa janë në periudhën e studimeve.”
Skuadra 1 PËR deklaratën: Visar Hamiti, Rinor Azizi, Besarta Sejdiu. Skuadra 2, KUNDËR deklaratës: Zana Bytyqi, Çlirimtare Gashi, Endios Pireva. Skuadra afirmative e mbron deklaratën, duke gjetur argumente se si mund të jetë konflikt interesi, rritje e afërsisë e miqësisë e ndikimit potencial edhe në vlerësim reciprok, ndërsa skuadra kundër deklaratës, flet për rëndësinë e komunikimit në Facebook, duke mos krijuar distancë në mes të profesorit-studentit, si dhe nevojën e sotme të domosdoshme për komunikim të shpejtë dhe onllajn për detyra, seminare, rezultate.
Debati ka 2 sesione, me 2 skuadra, me nga 3 debatues/e, në maksimum kohëzgjatje, deri në 36 minuta. E veçanta e vlerësimit është se audienca voton se cila skuadër ishte më bindëse në debat.
Ju mirëpresim!
Klubi i Debatit “UKZ”
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan