UKZ KA SHËNUAR FESTAT E NËNTORIT

26 Nëntor, 2019

Në organizimin e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan për të shënuar festat e Nëntorit, fillimisht është mbajtur një minutë heshtje në shenjë respekti për   familjet e atyre që humbën jetën  nga tërmeti që ndodhi mbrëmë në Shqipëri.

Pikërisht për këtë nga programi i paraparë,  janë anuluar pikat muzikore, derisa Universiteti “Kadri Zeka” ka  shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave që pësuan nga tërmeti.

Më pas janë intonuar Himni Kombëtar dhe Himni i Kosovës.

Rektori Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, në fjalën e tij për këtë datë të shënuar për popullin tonë, ka falënderuar të gjithë ata burra e ato gra, që dhanë jetën, dijen dhe pasurinë për lirinë, për kombin tonë dhe për dy shtetet shqiptare.

Rektori Kosumi ka thënë se, Flamuri Kombëtar, gjuha e bukur shqipe, kultura, letërsia, folklori dhe historia jonë na bëjnë unikë edhe kur jemi të ndarë.

Rektori ka shtuar se, sot, profesori dhe studenti, kanë rastin më ideal historik për të bërë shumë për lirinë, për kombin dhe për shtetin tonë: ta ngritim e ta lartësojmë kobin tonë në komb të fuqishëm, të arsimuar, të pasur në mesin e kombeve të lira dhe në faktor të rëndësishëm të paqes në rajon e në botë.

Në fund Rektori ka uruar të gjithë për festat e Nëntorit!

Më pas studentet e Fakultetit të Edukimit; Alisa Bekteshi, Arbisa Krasniqi, Erolinda Bunjaku dhe Shqipe Mustafa, janë paraqitur me recital të vargjeve të krijueseve të letrave shqipe; Kadare, Mjeda, Fishta, Elmazi, Spahiu, Gërvalla, Frashëri, Poradeci, Asdreni, të cilët përmes poetikës së tyre plot jetë e dashuri, kanë shkruar për vendin dhe gjuhën shqipe.

Ndërsa, në shenjë respekti e mirënjohje për kontributin ndaj studentëve të familjeve të dëshmorëve, si dhe veprimtarisë së shquar kombëtare dhe intelektuale të Rektorit të Universitetit tonë, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së,  Xhevdet Mehmeti i ka dhënë mirënjohje Rektorit Kosumi, po ashtu  edhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve i ndarë mirënjohje Rektorit Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, të cilën ia dorëzoi sekretari i Shoqatës, Qëndrim Baftiu.

Universiteti ynë tashmë ka bërë të përvitshme thirrjen me karakter garues në fushë të letërsisë; poezi, prozë, eseistikë. Edhe këtë vit ka vazhduar tradita, duke ua dhënë mundësinë studentëve që t`i shpalosin vlerat e tyre krijuese në fushë të eseistikes, me tematikë të caktuar për ngjarjet që simbolizojnë Nëntorin e Madh. Kështu, juria  profesionale në përbërje të profesoreshës së letërsisë Prof. Ass. Dr. Nevrije Bislimi- Ismaili, dhe dy asistentet anëtare të jurisë  Liridona Mehmeti dhe  Rina Rasimin, kanë  zgjedhur edhe tre esetë më të mira. Shifra 7777 ka marrë vendin e parë, shifra KONVIKTI ka marrë vendin e dytë, kurse shifra 2811 ka marrë vendin e tretë.

Gjithashtu, përveҫ studentëve krijues në fushë të letrave, UKZ ka studentë që janë të dalluar edhe për artet figurative ku juria profesionale në bashkëpunim me profesorin PhD.Cand. Ahmet Ibrahimi, dhe dy anëtarët PhD. Cand. Drita Kryeziu dhe asistenten Shkurte Ramushi kanë vlerësuar krijimet figurative të studentëve, për pikturë e vizatim, duke I zgjedhur tre punime më të mira.

Vendi I-rë, Ermira Berisha

Vendi II-të Eranda Musliaj

Vendi III-të Blerta Dauti