Naim Syla, u.d. rektor i Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”,,ka shpërndarë 31 certifikata për studentët të cilët kanë përfunduar programin Ballkanik të Paqes 2015, i cili është organizuar nën udhëheqjen e Fondacionit Bislimi Grup si dhe Universitetit tonë.
Ky program, ka sjellë në Gjilan njëmbëdhjetë studentë të huaj nga Kanadaja, SHBA-të, Gjermania, etj., të cilët së bashku edhe me rreth njëzetë studentë vendorë kanë vijuar ligjëratat me temën “Zhvillimi Ndërkombëtar dhe Politika në Vendet e Pas-Konfliktit: Kosova dhe Ballkani”. U.d. rektori Naim Syla me rastin e shpërndarjes së certifikatave, ka thënë se ndihet i lumtur që Institucioni ynë ka qenë i hapur për të pritur studentët nga vendet e ndryshme që po ashtu kanë sjell këtu edhe eksperienca të ndryshme. “ Ju jeni ambasadorë akademik të vendeve tuaja dhe me pjesëmarrjen tuaj në këtë program , keni nderu shtëpitë tona që kanë qenë mikpritëse për ju, keni nderu Institucionin tonë dhe po ashtu edhe qytetin e Gjilanit, sepse keni bërë që këtu të ketë frymë akademike të nivelit evropian, ku njëherësh janë gërshetuar ide, kultura dhe eksperienca të ndryshme duke punuar së bashku”, ka thënë pos tjerash u.d. rektori Syla.
Ndërsa Faton Bislimi, president i Fondacionit Bislimi Grup, ka thënë se ky organizim është një mundësi e mire edhe për studentët e huaj të mësojnë më shumë për shqiptaret dhe vendin tone, por njëkohësisht edhe për studentët tone vendorë që të provojnë sistemin e arsimimit amerikan këtu në Gjilan, duke shtuar se “program është i njohur ndërkombëtarisht për Universitetin e Albertës, dhe se kjo përvojë, Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” i jep mundësinë që të jetë partner në një program veror akademik ndërkombëtar siç është programi Ballkanik i Paqes 2015 .”
Përveç ligjëratave, studentët e huaj kanë udhëtuar nëpër Kosovë dhe mandej një udhëtim studimor disaditor kanë qëndruar në Mal të Zi dhe Shqipëri. E veçantë e këtij programi është se studentët e huaj kanë qenë të vendosur tek familjet nikoqire gjilanase, meqë rast kanë vlerësuar lart mikpritjen dhe traditën shqiptare.
Programi Ballkanik i Paqes është realizuar në Gjilan për vitin e katërt radhazi, ndërsa ky ka qenë viti i dytë i bashkëpunimit me Universitetin “Kadri Zeka”.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan