Agjencia Kundër Korrupsionit, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka organizuar një ligjëratë me temën: “Luftimi i veprave penale të korrupsionit”.
Para studentëve të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe pjesëmarrësve të tjerë, Kapiten Luan Ibrahimi, shef i hetimeve kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë dhe Toger Afrim Krasniqi, Shef i hetimeve kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Gjilan, kanë folur rreth mekanizmave të luftës kundër korrupsionit në Kosovë dhe aspektet operacionale të punës .
Në ndërkohë ata kanë informuar të pranishmit mbi misionin, mandatin, rolin dhe përgjegjësitë e Agjencisë Kundër Korrupsionit, praktikat dhe procedurat e punës në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit dhe aspektet e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve me organizata dhe institucionet tjera.
Gjatë kësaj ligjërate është folur edhe për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet institucioni në kryerjen e detyrave brenda përgjegjësive të përcaktuara me ligj.
Nga ana tjetër , studentët e UKZ-së janë interesuar për tema të ndryshme që ndërlidhen me korrupsionin, bashkëpunimin me institucionet e tjera, procedurat hetimore, trajtimin e rasteve, etj..
Kjo ligjëratë është realizuar në vazhdën e aktiviteteve, “Java Anti-Korrupsion”, që ka filluar nga data: 09.12.2018 dhe do të zgjasë deri më 14.12.2018, që ka për qëllim zgjerimin e partneritetit me institucionet akademike që ka për synim rritjen e standardeve profesionale përmes një bashkëpunimi të planifikuar, si dhe veprimtarive për ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e luftimit të korrupsionit.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan