Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, është promovuar libri, Ekonomiksi i Parasë, Bankingut dhe Tregjeve Financiare, që është përkthim i librit The Economics of Money, Banking, and Financial Markets e autorit Frederic Mishkin.
Libri është botimi i XI-të dhe është përkthyer nga ekipi i përbërë prej: Valentin Toçi, Gëzim Tosuni, Arben Mustafa, Driton Qehaja, Sokol Havolli.
Në këtë organizim, Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan Bajram Kosumi, ka përgëzuar ekipin për punën që ka bërë në përkthimin e librit të autorit Frederik Mishkin, duke thënë se përkthimi i këtij librit, Ekonomiksi i Parasë, Bankingut dhe Tregjeve Financiare, është kulminant, derisa ka inkurajuar të tjerët që të reflektojnë kështu mbi punën e tyre.
Gëzim Tosuni, njëri nga autorët që ka përkthyer librin The Economics of Money, Banking, and Financial Markets e autorit Frederic Mishkin, ka folur për përmbajtjen e librit, kurse Merita Meha Gagica, drejtoreshë e shtëpisë botuese Educational Centre Kosova, ka folur rreth organizimit deri tek botimi i librit .
Ndërkaq Adrian Bajrami kryetar i Parlamentit Studentor në UKZ ka thënë se ky libër është i mirëseardhur për studentët në përgjithësi e veçanërisht për studentët e Fakultetit Ekonomik, të cilët tani kanë edhe një libër shtesë në literaturën e tyre për të mësuar.
Libri Ekonomiksi i Parasë, Bankingut dhe Tregjeve Financiare, që është përkthim i librit The Economics of Money, Banking, and Financial Markets e autorit Frederic Mishkin, jep përgjigje se si punojnë tregjet financiare (të tilla si ato për obligacionet, stoqet dhe valutat) dhe institucionet financiare (banka, shoqëri sigurimi, fonde të përbashkëta dhe institucione të tjera) dhe duke eksploruar rolin e parasë në ekonomi.
Sipas librit tregjet dhe institucionet financiare ndikojnë jo vetëm në jetën tuaj të përditshme, por edhe në rrjedhën e fondeve në të gjithë ekonominë tonë, gjë që ndikon në fitimet e biznesit, prodhimin e mallrave dhe shërbimeve, madje edhe mirëqenien ekonomike të vendeve partnere.
Gjithashtu është promovuar edhe libri “Nga teoria në praktikë”, i cili përmban studime rasti nga kompanitë kosovare, respektivisht ato gjilanase. Ky publikim është vepër e një grup autorësh prej 31 pedagogësh universitar, në kuadër të projektit EUFORIA – Erasmus+, pjesë e së cilit është edhe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, e që është mbështetur nga Komisioni Evropian.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan