Duke qenë se është evidentuar që maturantët shpeshherë nuk kanë informacione të mjaftueshme për mundësitë që ofron për ta Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, si në aspektin e programeve të studimit ashtu edhe për aktivitetet e tjera, dhe duke qenë se përzgjedhja e profesionit është një moment kyç për të ardhmen e çdo të riu, drejtuesit e Fakultetit Ekonomik së bashku me drejtuesit e studentëve, po organizojnë vizita nëpër shkollat e mesme të larta në komunat e Anamoravës dhe në Luginë të Preshevës, ku takojnë maturantët.
Një delegacion i përbërë nga Dekani, Prof.Ass.Dr. Gëzim Tosuni, Prodekani, Prof.Ass.Dr. Xhevat Sopi, Assisteni, PhD Cand. Lulzim Rashti njëherësh drejtues i zyrës për vendosje, dhe Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit “Kadri Zeka”, Adrian Bajrami, fillimisht kanë vizituar SHML Gjimnazi Shoqëror, “Zenel Hajdini”, ku janë pritur nga drejtori, Sami Hoxha, me të cilin së bashku kanë mbajtur takimin me maturantët. Më pas është zhvilluar vizita në SHML Gjimnazi Natyror, “Xhavit Ahmeti”, ku pas takimit me drejtorin Bekim Mustafa, është mbajtur takimi me maturantët e kësaj shkolle. Po ashtu delegacioni i UKZ-së ka vizituar edhe SHMLT, “Mehmet Isai” ku pas pritjes nga drejtorja, Lumnije Tahiri, kanë pasur një takim edhe me maturantët.
Në të gjitha këto takime, maturantët janë njoftuar nga Dekani, Prof.Ass.Dr. Gëzim Tosuni, me programet që ofrohen në Fakultetin Ekonomik dhe profilin profesional që e ofron secili nga tri programet: Banka Financa e Konatbilite, Menaxhment dhe Marketing. Gjithashtu maturantët janë njoftuar për mundësitë që ofrohen gjatë kohës së studimeve, edhe për praktikat nëpër biznese dhe vizitat e ndryshme studimore gjithashtu edhe për mundësitë e studimeve në universitete evropiane për një ose dy semestra, në kuadër të programeve të BE-së, pjesë e së cilave është Universiteti “Kadri Zeka”.
Nga ana tjetër, kryetari I Parlamentit Studentor, Adrian Bajrami, i ka njoftuar maturantët se nga ky viti, studentët e UKZ-së do të organizojnë trajnime të ndryshme për t’i përgatitur maturantët për provimet pranuese. Bajrami gjithashtu I ka njoftuar maturantët për përkushtimin e stafit akademik dhe menaxhmentit të Fakultetit Ekonomik në funksion të përmbushjes së nevojave dhe kërkesave të studentëve.
Në fund të këtyre takimeve, maturantët u porositën që për çdo lloj informacioni shtesë, mund të drejtohen te udhëheqësit e studentëve por edhe te Menxhementi i Fakultetit.
Vizita të tilla do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, si në SHMLE”Marin Barleti”, SHMLAT “Arberia” dhe SHMLM “Dr Asllan Elezi”, kurse në ndërkohë do të vizitohen maturantët në Luginë të Preshevës, përkatësisht në shkollat e mesme në Preshevë dhe Bujanoc. Maturantët e Kamenicës dhe Vitisë do të vizitohen në fillim të javës së ardhshme.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan