In memoriam për anëtarin e KD të UKZ-së  Nehat Rrudhani (1962 – 2018)

26 Shkurt, 2018

Nehat Rruadhani  u lind më 29 mars 1962 në Roganë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Dardanë, kurse SHLP,  me sukses të shkëlqyeshëm e kreu në Gjilan. Me hapjen e Fakultetit të Mësuesisë në Prishtinë, ishte ndër të parët e brezit të tij që regjistrohet në atë fakultet dhe i pari që diplomoi me notë të shkëlqyeshme. I etur për studime e duke ndjerë edhe nevojën për kuadro, Nehati regjistroi në Tetovë studimet pasuniversitare, në degën e Psikologjisë të cilat studime i përfundoi, po ashtu me sukses të plotë dhe në afatin optimal.

Krahas punës së tij të palodhshme, kontribuoi mjaft shumë për arsim. Në fillim punoi mësimdhënës në SH.F. “Metush Krasniqi” të Roganës (1986-1999) e pastaj edhe drejtor i kësaj shkolle (1999 – 2003), si dhe këshilltar komunal në Kuvendin e Dardanës (2007-2009), udhëheqës i sektorit të arsimit në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Dardanë. Paralelisht mbante  ligjëratat në UP, Fakulteti i Edukimit – Qendra në Gjilan,  angazhimit të tij ishte edhe në Programin për Avancimin dhe Kualifikimin e Mësimdhënësve – në këtë qendër (2010-2011). Po ashtu ishte i angazhuar në mbajtjen e  ligjëratave në  Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (nga viti 2003 e deri më tani), dhe së fundi ishte edhe anëtar i Këshilli Drejtues në këtë universitet. Ai  po ashtu ishte edhe  ligjërues në Kolegjin universitar “FAMA” në Gjilan e në Prishtinë, ndërsa para  3 vitesh përfundoi edhe disertacionin e doktoratës Universitetin e Strugës të Republikës së Maqedonisë.

Nehati ishte profesor i dalluar, pedagog i shkëlqyeshëm, një penë e mendje e hollë, bujar e atdhetari, i urtë e i dashur si rrallëkush, respektues e i respektuar nga të gjithë, dashamirë i së drejtës, por edhe i pa kompromis ndaj të padrejtës.

Më 24 shkurt 2018, Nehat Rrudhani ndrroi jetë,  duke lënë gjurmë në veprat e tija të mira e të pashlyeshme, të cilat i bëjnë nder përgjithmonë, jo vetëm familjes, roganasve, dardanasve, po edhe popullit të Kosovës e shqiptarisë në përgjithësi.

 

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Të!