Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka bërë hapjen zyrtare të studimeve master për programin E-Qeverisja, program ky i përbashkët mes Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Fakultetit Juridik dhe Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka” dhe programin Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike, program i përbashkët me Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.
Në këtë organizim kanë marrë pjesë edhe Rektorët e dy Universiteteve Publike, Ramë Vataj nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren dhe Fadil Millaku nga Universiteti “Haxhi Zeka” Pejë së bashku me disa profesorë dhe student të Universiteteve që ata drejtojnë.
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi, pasi ju ka dëshiruar mirëseardhje mysafirëve, ka folur për cilësinë e arsimit universitar në Kosovë, respektivisht për Universitetet publike, duke thënë se ato janë në udhëkryq. Sipas tij qeveria asnjëherë nuk është kujdesur për to, sidomos për universitetet e reja, nuk investon në universitete, kultura e studimit si nga ana e profesorëve ashtu edhe nga ana e studentëve, nuk është në nivelin e duhur dhe se diploma është shndërruar vetëm në një dokument për punësim, por jo edhe në një dokument që dëshmon dije, ka thënë mes tjerash Rektori Kosumi.
Ai ka thënë se këtë gjendje mund ta ndryshojmë ne që jemi këtu, dhe të tjerët që janë me ne, profesorë e studentë.
“Patrioti dhe vizioni më i madh në Kosovë sot është ai që e krijon shkollën cilësore. Ata që e kuptojnë se shkolla cilësore është zgjidhje e problemeve të shumta ekonomike, politike e sociale të shoqërisë sonë. Pa shkollë cilësorë nuk ka të ardhme të sigurt”, ka thënë Rektori Bajram Kosumi.
Kurse sa i përket programeve Master, Rektori Kosumi ka thënë se me programin e përbashkët me universitetin e Prizrenit dhe të Pejës ne kemi bërë vetëm një hap të vogël. Ua kemi bërë të mundshme studentëve tanë që të marrin përvojat e tri universiteteve brenda një programi master.
“Me këtë ne po përgatisim hapin e dytë: studime të përbashkëta të doktoratës, edhe me partnerë tanë ndërkombëtarë. Hapi final i këtij projekti është t’i aftësojmë studentët tanë për të konkurruar në tregun e punës jo vetëm në Kosovë e në rajon, por sidomos në tregun evropian, një ditë kur Kosovë do të jetë pjesë e BE”, ka thënë Rektori Kosumi.
Kurse për programin E-qeverisja, ai ka thënë se është i vetmi në Kosovë dhe ne po ndihmojmë qeverinë qendrore dhe ato lokale ta bëjnë hapin e madh të kalimit në qeverisjen virtuale, një hap të cilin në BE tashmë e kanë bërë.
Rektori Kosumi duke ju dëshiruar suksese në punë dhe mësim, ka ftuar profesorët, studentët dhe menaxherët e këtyre programeve që të mos vazhdojnë me rrugën e cilësisë së dyshimtë, por ta rrisin praktikën dhe hulumtimin në vend.
Kurse Ramë Vataj Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Fadil Millaku nga Universiteti “Haxhi Zeka” Pejë, pasi kanë uruar profesorët dhe studentët për fillim të studimeve master, kanë thënë se ky bashkëpunim në realizimin e studimeve master në programin Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike, do të jetë një përvojë e mirë dhe se studentët e kësaj gjenerate të studimeve master janë te priveligjuar, pasi që do të kenë një eksperiencë sikurse studentët e Universiteteve të tjera Evropiane.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan