Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi bashkë më prorektorët dhe sekretarin e përgjithshëm kanë vizituar njësitë akademike atë të Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Kompjuterike, ku sot janë mbajtur provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj të UKZ-së. Rektori Kosumi u shpreh i lumtur për realizimin me sukses të përgatitjeve për këtë ditë, të cilën ai e konsideroi si ditë shumë të rëndësishme për Universitetin “Kadri Zeka”, për kandidatët për studentë, si dhe për mbarë vendin. “Ju keni konkurruar që të bëheni pjesë e Universitetit më të mirë në vend, ashtu edhe ne do të zgjedhim më të mirët për të qenë pjesë e këtij institucioni” tha ndër të tjerash Rektori Bajram Kosumi.
Ndërkohë sipas Dekanëve të njësive akademike dhe profesorëve mbikëqyrës, gjithçka është realizuar ashtu siç është planifikuar dhe nuk ka pasur ndonjë pakënaqësi nga ana e kandidatëve për studentë.
Ndryshe në këtë konkurs kanë aplikuar rreth1200 maturantë për katër fakultet me gjithsej shtatë programe studimi.
Universiteti “Kadri Zeka”, në afatin e dytë të studimeve baçlor, për vitin akademik 2017-2018 do të regjistrojë 1192 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.
Ndërsa , provimi pranues për Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik do të mbahet nesër, më 16.09.2017.
Shpallja e rezultateve përfundimtare të provimit pranues për baçelor do të bëhet, më së voni, deri më 22.09.2017 në ueb faqen zyrtare të Universitetit, uni-gjilan.net
Gjithashtu, është paraparë edhe periudha e ankimit, kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan