Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ka mbyllur sot konkursin e dytë të studimeve baçlor për pranimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2017-2018. Në këtë konkurs kanë aplikuar 1155 maturantë për katër fakultet me gjithsej shtatë programe studimi. Respektivisht në Fakultetin e Edukimit programi Fillor numri i aplikuesëve është 412, për programin Parashkollor 191, në Fakultetin Juridik ka pasur 227 aplikime , në Fakultetin Ekonomik në programet Banka Financa dhe Kontabilitet kanë aplikuar 50 maturantë, në programin Marketing 57 , në programin Menaxhment 67 dhe në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike 151 aplikantë.
Në bazë të këtyre statistikave, ka pasur një interesim mjaft të madh të maturantëve për të qenë studentë në Universitetin “Kadri Zeka” dhe fakulteti më i preferuar ka qenë Fakulteti Edukimit.
Universiteti “Kadri Zeka”, në afatin e dytë të studimeve baçlor, për vitin akademik 2017-2018 do të regjistrojë 1192 studentë të rregullt, ku përfshihen edhe studentë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe nga komunitetet jo-shumicë.
Shpresë Qamili, Prorektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve në Universitetin ”Kadri Zeka” në Gjilan tha se procesi i aplikimit dhe pranimit të dokumenteve ka shkuar mirë ashtu siç është paraparë me planin dinamik. “Procesi ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, është administruar në mënyrë efikase, dhe nuk kemi pasur ndonjë problem ose parregullsie në procesin e pranimit të aplikimeve të regjistrimit të të dhënave në sistemin elektronik – online”, tha Prorektorja Shpresë Qamili.
Provimi pranues për Fakultetin Juridik dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike do të mbahet më 15.09.2017, kurse për Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin Ekonomik, më 16.09.2017.
Ora e mbajtjes së provimit pranues dhe salla do të shpallet në ueb faqen e universitetit uni-gjilan.net më datë 14.09.2017, kurse shpallja e rezultateve përfundimtare të provimit pranues për baçelor do të bëhet, më së voni, deri më 22.09.2017
Gjithashtu, është paraparë edhe periudha e ankimit, kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve. Pas këtij afati, ankesat nuk do të pranohen.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan