Universiteti Publik “Kadri Zeka” riakreditohet në nivel institucional

27 Korrik, 2021

Sipas burimeve të medieve të cilat e kanë përcjellë mbledhjen e  Këshillit Shtetëror të Cilësisë mbajtur  më datë 27 korrik 2021, Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është ri-akredituar në nivel institucional për periudhën 3 vjeçare.

Procesi i vlerësimit institucional nga ekspertët ndërkombëtarë në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është zhvilluar në muajin janar të këtij viti. Për ri-akreditimin e UKZ-së, ekspertët kanë mbajtur takime dhe e kanë vlerësuar institucionin në nivele të ndryshme, duke filluar nga ai menaxherial, akademik dhe administrativ, nivelin e studentëve, të diplomuarit/alumnit, punëdhënësit si dhe hisedarët e jashtëm.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është në pritje të vendimeve nga ana e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për riakreditimin e programeve aktuale, si dhe akreditimin e programeve të reja.

Në Fakultetin e Edukimit pritet vendimi për riakreditimin e programit Fillor (BA) dhe Parashkollor (BA),  dhe akreditimin e programit Mësimdhënie e gjuhës dhe letërsisë shqipe (MA) dhe Mësimdhënie dhe kurrikula (MA). Në Fakultetin Ekonomik priten vendimet nga KSHC për Programet  studimore Financë dhe Kontabilitet i Aplikuar (BA),  Menaxhim dhe Ndërmarrësi (MA). Në Fakultetin Juridik presim vendimin për programet Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike (MA) dhe  Juridik penal (MA). Kurse në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike prsim vendimet nga KSHC për programet e studimit Sistemet e Kontrollit dhe Inteligjenca Artificiale (MA) dhe E-Qeverisja (MA).