UKZ ka inauguruar Laboratorin STEM

17 Tetor, 2023

Duke synuar zhvillimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në realizimin e misionit të tij dhe realizimin e objektivave strategjike,  UKZ ka arritur të ketë Laboratorin STEM, i cili është mbështetur nga HERAS+, financuar nga Austrian Development Cooperation (ADA) e Austrisë.

Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Rektor i UKZ-së, në fjalën e tij tha se  Laboratori STEM, do të forcojë zhvillimin e aktiviteteve në drejtim të programeve të reja të UKZ-së, sidomos në fushën e shkencave dhe teknologjisë. Rektori tha se në këtë proces studentët do të përgatiten me kompetenca për nevojat e tregut dhe të shoqërisë gjithnjë e më të avancuar teknologjikisht. Edukimi STEM tha Rektori, ka të bëjë me aplikimin e të menduarit krijues në projektet STEM, duke ndezur imagjinatën dhe kreativitetin e studentëve përmes teknologjisë.

Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Aplikative falënderoi ekipin e HERAS për përkrahjen në krijimin e laboratorit STEM. Ai tha se qëllimi i Laboratorit STEM është të mundësojë zhvillimin e aktiviteteve në kuadër të procesit arsimor në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara (Matematikë, Informatikë), Fakultetin e Shkencave Kompjuterike (Teknologji, Informatikë) dhe Fakultetin e Edukimit (edukimi STEAM) për të adresuar nevojat praktike të studentëve dhe mësimdhënësve në lidhje me aftësitë e tyre profesionale në fushat STEM.

Sipas Dekanit Thaqi tani me laboratorin STEM akreditimi Institucional dhe akreditimi i programit të matematikës së aplikuar dhe programeve të tjera të studimit në Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, si dhe zhvillimi i programit të studimit të Financës dhe Kontabilitetit të Aplikuar në kuadër të Fakultetit Ekonomik do të jetë më i lehtë.

Aqim Emurli drejtor i HERAS+ duke uruar UKZ-në për laboratorin, tha se ne fokusohemi që bashkëpunimi me Universitetet të jetë në nivelin strategjik dhe në vizionin e qartë të institucionit, me qëllim që pajisjet të përdoren në zhvillim të hulumtimeve shkencore dhe shërbime për komunitetin.

Studenti i UKZ-së Endrit Rexhepi ka prezantuar  pajisjet e laboratorit STEM, se si e çka mund të punohet me to.

Laboratori STE(A)M do të kontribuojë me sukses në mbështetje në aktivitetet mësimore/mësimdhënëse dhe kërkime në fushat STEM, do të ketë inkurajim e kreativitet dhe inovacion tek studentët,  do të bëhet promovimi i punës dhe bashkëpunimit në grup, do të mundësohet lehtësimi i përdorimit të teknologjisë për të mbështetur projektet, do të jetë më i lehtë zhvillimi dhe zbatimi i njohurive teorike në praktikë dhe zgjidhja e problemeve, rregullimi i orarit për të përshtatur një mënyrë të re të mësimdhënies dhe të nxënit, e po ashtu do të ofrojë zhvillimi profesional për të gjithë stafin në praktikat dhe parimet STEM.

Në laboratorin STEM, studentët mund të zhvillojnë aftësitë e tyre shkencore, inxhinierike dhe matematikore duke përdorur teknologjinë për të krijuar, bashkëpunuar dhe përfunduar projekte – duke mësuar dhe zbatuar njohuritë për të gjetur zgjidhje për probleme të ndryshme.

Paisjet laboratorike STEM mund të mbështesin kurrikulën bazë duke përfshirë mjete shkencore dhe manipulime matematikore gjatë mësimeve. Për t’i çuar më tej këto aftësi inxhinierike dhe për të zhvilluar aftësitë e projektimit, studentët mund të përdorin mjete projektimi të ndihmuara nga kompjuteri si Printer 3D, Blender ose Tinkercad për të qenë krijues dhe për të dizajnuar forma 3D.

Këto modele më pas mund të shndërrohen në prototipa fizikë me ndihmën e një printeri 3D, Kodimi, Robotika, etj., për studentët, ose ata që duan të përparojnë përtej bazave të materialeve e projektimit, një teknologji e shkëlqyer për të ndërtuar aftësi për zgjidhjen e problemeve. Duke përdorur Shape Robotics, studentët mund të ndërtojnë lehtësisht robotët e tyre duke përdorur teknologjinë e klikueshme dhe më pas të zhvillojnë aftësitë e tyre të kodimit duke i bërë këta robotë të lëvizin. Një shembull tjetër i shkëlqyeshëm i softuerit që lejon studentët të krijojnë hapësira virtuale është Co-Spaces.